QEMAJL MUSTAFA: NUK KA PASUR NDËRHYRJE NË TENDERË ( E PLOTËSUAR)

Raporton: Valdet HAJDINI

E PLOTËSUAR: Dëshmitari në rastin e njohur si “MTPT” Qemajl Mustafa, ka përfunduar sot marrjen në pyetje nga mbrojtësit e të akuzuarëve. Ndërkaq, në seancën e nesërme pritet që të njejtin dëshmitar ta rimarr në pyetje prokurori i çështjes, Charles Hardaway.

Mustafa edhe në këtë seancë deklaroj të njejtat pohime rreth dëshmitarit të ndjerë Mehmet Shkodrës, që qëllimi i tij ka qenë që ta largoj këtë dëshmitar për shkak se Shkodra insistonte të merrte pjesë në tenderë pa qenë i kualifikuar. Lidhur me një mesazh që Mustafa i kishte shkruar Shkodrës e në të cilin thuhej “Shko te Nexhat Krasniqi, ta bën qaren”, ish Kryetari i Gjilanit u përgjigj se qëllimi i një mesazhi të tillë ka qenë largimi i Mehmet Shkodrës. “Vetëm kam dashur ta heq qafe, e ndoshta Nexhati ja sqaron procedurën e aplikimit” tha Mustafa. Sa i përket të akuzuarit Nexhat Krasniqi, dëshmtari Qemajl Mustafa tha se këtë person e ka njohur në kohën kur ka filluar puna në rrugën Ponesh – Zhegrovc.

Mustafa edhe një herë deklaroi të mërkurën para trupit gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja e EULEX-it Maria Tuma, se nuk ka dëgjuar asnjëherë që Fatmir Limaj ka kërkuar ryshfet për fitimin e ndonjë tenderi.

Prishtinë – Dëshmitari Qemajl Mustafa, ish-Kryetar i Komunës së Gjilanit, po vazhdon të merret në pyetje në rastin e njohur si “MTPT”. Në këtë seancë ai është duke u marrë në pyetje nga mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Limaj, avokati Tahir Rrecaj kryesisht rreth projekteve që Komuna e Gjilanit i ka implementuar. Mustafa në këtë seancë deklaroj që gjatë hapjes dhe vlerësimit të tenderëve nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje nga persona të tjerë.

Ish-Kryetari i Gjilanit, foli poashtu edhe për dëshmitarin e ndjerë, Mehmet Shkodrën, për të cilin tha se ai kishte aplikuar disa herë për tenderë po nuk i kishte fituar për arsye se nuk ka qenë i kualifikuar.

Qemajl Mustafa, në këtë shqyrtim u pyet edhe rreth kompetencave për këto projekte në Komunën e Gjilanit. Sipas tij, në rastet kur projtektet e kësaj komune kanë qenë të financuara nga qeveria, atëherë implementimi i tyre është bërë nga niveli qëndror dhe e kundërta. Pra, Mustafa sqaroj që ndarja e kompetencave në projektet e Komunës, është bërë në varësi të financuesit.

Ky shqyrtim gjyqësor ka filluar të zhvillohet nga fundi i shtatorit të vitit 2015, dhe deri më tani janë dëgjuar dy dëshmitarë para Qemajl Mustafës. Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës përfshihen pesë persona të akuzuar për keqpërdorime, marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të tjera, lidhur me disa tenderë që lidhen me ish Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomit (MTPT). Ndër ta janë ish Ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ish Drejtori i prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpërtim Telaku dhe Florim Suka.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë