Prizren – Qamil Hetemi është dënuar me 14 vite burgim për vrasjen e bashkëshortes Ardiana Hetemi. Shpallja e aktgjykimit është bërë nga kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren. Më parë i akuzuari ishte dënuar dy herë nga Gjykata Themelore në Ferizaj me lartësi të dënimit prej 14 vitesh, aktgjykime të cilat Gjykata e Apelit i ka prishur me arsyetim të shkeljeve procedurale.
Për ri-gjykimin e tretë, në mungesë të trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Gjykata e Apelit në Prishtinë, e kishte bërë përgjegjëse Gjykatën Themelore në Prizren, për mbajtjen e shqyrtimeve gjyqësore.
Prokuroria Themelore e Ferizajit, në verën e vitit 2012, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Qamil Hetemi, për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa në seancën e shqyrtimit gjyqësor të 17 qershorit 2013, prokuroria kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket pikës 1. ashtu që Hetemin e akuzonte për veprën penale të vrasjes.
Në lartësinë e dënimit prej 14 vitesh, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej gati 4 vitesh. I akuzuari do të mbetet në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.