PZAP nuk certifikon kandidatin e PDASHK-së që kishte probleme me Ligjin

pzapaaaa
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Janar 26, 2021

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe nuk ka certifikuar kandidatin e kësaj partie për deputet, Ferat Dogani.`

Vendimi është publikuar sot nga PZAP ku jepen edhe argumentet se Dogani nuk është certifikuar pasi i njëjti ka pasur dënim të plotëfuqishëm në tri vitet e fundit.

“Kandidati për deputet të cekur në pikën I, dispozitivit të këtij vendimi nuk mund të zëvendësohet me një kandidat tjetër”, thuhet në vendimin e PZAP-it.

PDASHK në ankesën drejtuar PZAP-it ka thënë se nuk kanë pasur informacione se kandidati i tyre ka qenë i dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit derisa dy kandidatë tjerë kanë larguar nga lista.

Megjithëkëtë, KQZ ka argumentuar se PDASHK ka qenë e njoftuar për të tre kandidatët me probleme ligjore që nuk kanë plotësuar kërkesat ligjore për të garuar për deputet të Parlamentit të Kosovës.

Vendimi i publikuar i PZAP-it i jep të drejtë vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me të cilin konfirmon se në garë zgjedhore s’mund të kandidojë asnjë askush që në tri vitet e fundit ka një vendim të plotëfuqishëm për vepër penale.

Po ashtu, PZAP ke gjetur se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike ka bërë shkelje ligjore kur ka rekomanduar certifikimin e gjithë kandidatëve pa u bërë verifikimi nëse të njëjtit ishin të dënuar në tri vitet e fundit për vepra penale.

Një Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, për rastin e ish-deputetit Ethem Arifi, kishte vendosur një standard të ri, duke ndaluar kandidaturat për deputetë për të gjithë ata që kanë vendime të plotëfuqishme në tri vitet e fundit për veprat panele.

Shtatë parti politike kishin bërë ankesa te PZAP pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili vendosi të mos i certifikojë as partitë të cilat kanë në listën e tyre kandidatë me dënime të plotfuqishme për vepra penale në tri vitet e fundit.

Në mesin e partive që kanë ushtruar ankesa në PZAP është edhe Vetëvendosje, AAK e NISMA, të cilat kanë kundërshtuar vendimin e KQZ-së për moscertifikim të listave të kandidatëve për deputetë.

Ndërkohë, sot, AAK kishte larguar kandidatët që kishin pasur probleme pak para se të vendoste PZAP lidhur me ankesat e gjitha partive.

Ditë më parë, Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj i kishte thënë “Kohës Ditore” se vendimet e PZAP-së si shkallë e dytë, kanë fuqi juridike të detyrueshme për KQZ-në.

Prandaj, konsideronte se çdo vendim i PZAP-së në raport me certifikimin e listave dhe të kandidatëve për deputetë zbatohen nga KQZ-ja.

“PZAP-ja mund të vendosë që të certifikojë vetëm kandidatët që nuk kanë probleme me ligjin dhe t’i udhëzojë partitë politike që të dërgojnë në KQZ emrat e kandidatëve të rinj për të zëvendësuar kandidatët që kanë probleme me ligjin”, thotë Miftaraj.

“Nëse partitë politike nuk zëvendësojnë emrat e kandidatëve, atëherë KQZ-ja e zbaton vendimin e PZAP-së lidhur me certifikimin e kandidatëve që kanë kaluar me sukses në PZAP, kurse numrat e kandidatëve me probleme mbesin të zbrazët dhe pa mundësi për t’u votuar të njëjtit më 14 shkurt 2021”.

Por, juristi Ehat Miftaraj, krahas konfirmimit se KQZ-ja nuk ka autoritet dhe mundësi ligjore t’i verifikojë apo t’i kontestojë vendimet e PZAP-së dhe se ajo e ka obligim ligjor të zbatojë të njëjtat, rikujton të ketë një përjashtim nga ky rregull – vendimet e PZAP-së mund të ndryshohen përmes ankimimit në Gjykatën Supreme me kusht që kjo gjykatë të ketë vendosur ndryshe nga PZAP-ja.

Drejtori i IKD-së Ehat Miftaraj thotë se vendimi i Gjykatës Supreme është final dhe i njëjti vendim zbatohet nga KQZ-ja.

“Në bazë të Ligjit dhe afateve ligjore aktuale, Gjykata Supreme varësisht prej ankesave që mund të pranojë në raport me vendimet e PZAP-së lidhur me certifikimin e listave të partive politike dhe kandidatëve deri më 30 janar 2021, duhet të vendosë lidhur me këto ankesa dhe të njëjtat t’ua dërgojë palëve të interesuara, PZAP-së dhe KQZ-së”, thotë Miftaraj. “Vendimi i Gjykatës Supreme është final sa u përket mjeteve të rregullta juridike dhe i njëjti zbatohet nga KQZ-ja pa të drejtë intervenimi, ndryshimi apo plotësimi”.

Ai rikujton se ndaj vendimit të Supremes ka të drejtë ankese në Gjykatën Kushtetuese, por që ankesa nuk ka ndikim në afatet dhe procesin zgjedhor. Kësisoj, kur ta bëjë certifikimin, KQZ-ja nuk është e obliguar ta presë përgjigjen e Kushtetueses. /BetimipërDrejtësi