PZAP: As listat e kandidatëve nuk mund të zëvendësohen me emra të rinj

19029276_654097231467229_2147406370942388253_n
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Janar 26, 2021

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mund t’i plotësojë pesë vende e mbeta të lira në listën e kandidatëve për deputetë pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se asnjë person nuk mund të garojë për deputet nëse është i dënuar në tri vitet e fundit për vepër penale.

Partia e Fatmir Limajt ka mbetur pa 12 kandidatë për deputetë pasi PZAP, në vendimin e fundit, ua ka ndaluar partive të bëjnë zëvendësimin e kandidatëve të larguar nga listat zgjedhore.

Jashtë listës së kandidatëve ka mbetur edhe Albin Kurti dhe katër kandidatë të tjerë të kësaj partie përfshirë Albulena Haxhiun, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi. Të pesë kandidatët e Vetëvendosjes kishin vendime të plotëfuqishme në tri vitet e fundit për vepra penale.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vepruar njëjtë edhe me Partinë e Famtir Limajt, NISMA-në Socialdemokrate. Kësaj partie ia ka larguar nga lista 12 kandidatë në mesin e të cilëve edhe Sekretarin e Partisë, Endrit Shalën. Përpos Shalës nga lista e NISMA-së janë larguar edhe: Vesel Krasniqit, Besnik Berisha, Filloreta Bytyçi, Valentina Alijaj, Xhafer Berisha, Aziz Thaçi, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gërdellaj, Vehbi Avdullahaj dhe Ardian Nokaj.

Vendimi i publikuar i PZAP-it i jep të drejtë vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me të cilin konfirmon se në garë zgjedhore s’mund të kandidojë asnjë askush që në tri vitet e fundit ka një vendim të plotëfuqishëm për vepër penale.

Një Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, për rastin e ish-deputetit Ethem Arifi, kishte vendosur një standard të ri, duke ndaluar kandidaturat për deputetë për të gjithë ata që kanë vendime të plotëfuqishme në tri vitet e fundit për veprat panele.

Shtatë parti politike kishin bërë ankesa te PZAP pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili vendosi të mos i certifikojë as partitë të cilat kanë në listën e tyre kandidatë me dënime të plotfuqishme për vepra penale në tri vitet e fundit.

Në mesin e partive që kanë ushtruar ankesa në PZAP është edhe Vetëvendosje, AAK e NISMA, të cilat kanë kundërshtuar vendimin e KQZ-së për moscertifikim të listave të kandidatëve për deputetë.

Ndërkohë, sot, AAK kishte larguar kandidatët që kishin pasur probleme pak para se të vendoste PZAP lidhur me ankesat e gjitha partive. /BetimipërDrejtësi