Pushohet procedura penale ndaj të akuzuarve për aksidentin në rrugën Prishtinë-Pejë

gjykata (19)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Maj 14, 2019

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, të martën, e ka hudhur poshtë aktakuzën ndaj të akuzuarve për rrezikim të trafikut publik, Luan Lataj dhe Shaban Ajdini.

Gjykatësi i çështjes, Murat Hulaj, në seancën e së martës ka marr aktvendim me të cilin e ka hudhur poshtë këtë aktakuzë dhe e ka pushuar procedurën penale ndaj dy të akuzuarve.

Një aktvendim i tillë është marr pasi që prokurorja Ardiana Veseli, ka deklaruar se tërhiqet nga ndjekja penale ndaj të akuzuarve Luan Lataj dhe Shaban Ajdini, me arsyetimin se vepra penale me të cilën ata ngarkohen, rrezikimi i trafikut publik, nga paragrafi 6 i KPRK-së, tani me Kodin e Ri Penal të Kosovës, nuk parashihet si vepër penale.

Ajo ka theksuar se pasi që ta pranojnë aktvendimin për hudhjen e aktakuzës, do ta iniciojë çështjen në Gjykatën për Kundërvajtje.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 21 nëntor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Shaban Ajdini, me pretendimin se më 1 tetor 2017, në magjistralen Prishtinë- Pejë, nga pakujdesia e ka shkelur Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, me çka ka shkaktuar aksident, nga ku dëme kanë pësuar të dëmtuarit Albert Zekaj, Klaudia Braha, Alberina Ajdini dhe Luan Lataj.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Ajdini, në ditën kritike, ishte duke vozitur makinën e tipit “VW-1 HXO”, i cili me të arritur tek vendi i lartcekur, merr veprimin e ndërrimit të shiritit qarkullues, duke u kyçur nga rruga kryesore papritmas, pa u siguruar se mund të bëjë një veprim të tillë, dhe del para automjetit që kishte përparësi kalimi duke ia ndërprerë rrugën, dhe goditet me automjetin e llojit “Dodge Caliber”, të cilën e drejtonte Luan Lataj, me ç’ rast pësojnë lëndime të dëmtuarit e lartcekur.

Sipas këtyre veprimeve Shaban Ajdini, akuzohet për vepër penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378 par.6 të KPRK-së.

Në këtë rast, akuzohet edhe Luan Lataj, që sipas aktakuzës, po në të njëjtën datë dhe vend, ai e ka shkelur Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që i pandehuri gjatë qarkullimit me automjetin e tij “Dodge Caliber”, nuk iu ka përshtatur shpejtësisë së lëvizjes së asaj pjese, me ç’ rast e ka goditur veturën “VW-1 HXO”, të cilën e drejtonte Ajdin Shabani.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e shpejtësisë, i pandehuri ka dal nga rruga, dhe e ka goditur kioskën “DPT-Burimi”, me ç’ rast ka shkaktuar dëme materiale dhe iu ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, të dëmtuarve Albert Zekaj, Klaudia Braha, Alberina Ajdini dhe Shaban Ajdini.

Sipas këtyre veprimeve Luan Lataj, akuzohet për vepër penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378 par.6 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi