Pushohet procedura penale ndaj të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik

Pallati i Drejtesise, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Prill 15, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, ka marrë vendim që të pushojë procedurën penale ndaj të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, Nexhmedin Haliti.

Një vendim të tillë e ka marrë gjykatësja Lumnije Krasniqi, me arsyetimin se vepra penale, rrezikimi i trafikut publik me pasoja të lehta për shëndetin, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, nuk parashihet më si vepër penale.

Ndryshe, Kodi i ri Penal i Republikës së Kosovës është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës më 14 janar të vitit 2019, dhe në dispozitat kalimtare është përcaktuar se hyn në fuqi tre muaj pas shpalljes në gazetë zyrtare.

“Gjykata pas vlerësimit të shkresave të lëndës konstaton se me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, për këto vepra penale sipas kodit të ri, nuk parashihet se përbën vepër penale, pasi që lëndimi i lehtë trupor nuk përbën më element të veprës penale me të cilin veprim mund të kryhet vepra penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha gjykatësja Krasniqi.

Sipas gjykatëses Krasniqi, gjykata e ndërpret procedurën penale në këtë çështje penale, duke vepruar konform dispozitave të nenit 2 dhe 3 të kodit të ri penal, parimit të ligjshmërisë dhe zbatimit të ligjit më të favorshëm për të akuzuarin.

“Andaj duke vepruar në pajtim me nenin 2 dhe 3 të Kodit të Ri të Republikës së Kosovës, parimit të ligjshmërisë dhe zbatimit të ligjit më të favorshëm si dhe doktrinën juridike “Ligji më i ri e tejkalon ligjin më të vjetër, i cili ligj ka hy në fuqi më, Gjykata e ndërpret procedurën në këtë çështje penale, meqë në rastin konkret më nuk kemi të bëjmë me vepër penale”, shtoi gjykatësja.

Lidhur me këtë, gjykatësja Krasniqi tha se jashtë shqyrtimit do të merr një vendim të veçantë për këtë çështje penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 28 shkurt 2017, Nexhmedin Haliti akuzohet se më 11 shtator 2015, rreth orës 17:40, në rrugën “Xheladin Hana”, në Prishtinë, derisa i akuzuari ka qenë duke e drejtuar veturën e tipit “VË Passat”, nga pakujdesia duke menduar me mendjelehtësi se deri te aksidenti nuk do të vijë, ka shkelur ligjin mbi trafikun publik, ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari duke vepruar në kundërshtim me nenin 126 të LSKRR-së, duke mos mbajtur distancë të mjaftueshme, e godet automjetin “VË Golf “, të cilin e drejtonte i dëmtuari Naser Damati, me ç’rast i dëmtuari pëson lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Nexhmedin Haliti se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 378 par.6 lidhur me par. 1 të KPRK-së.