Punëtori teknik kërkon mbi 1 mijë e 400 euro për shujta ditore dhe shpërblimin jubilar

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti– Punëtori teknik i shkollës fillore të mesme të ulët “28 Nëntori” në fshatin Vërban të Vitisë, I.S. ka paditur Komunën e Vitisë, duke kërkuar kompensimin për shujtat ditore dhe shpërblimin jubilar, në shumë prej 1 mijë e 472 euro.

Lidhur me padinë e tij, të premten, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, është mbajtur seanca kryesore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Shpëtim Bislimi ka thënë se mbeten në tërësi pranë padisë së ushtruar, duke bërë precizimin e kërkesëpadisë ashtu që detyrohet e paditura, që në emër të shpërblimit jubilar për përvojën e punës mbi 20 vite, ka kërkuar 75% të pagës bazë, në shumën prej 204 euro, ndërsa për kompensimin e shujtave ditore për 634 ditë të pranisë në punë ka kërkuar shumën prej 1 mijë e 268 euro, në total gjithsej 1 mijë e 472 euro.

Në anën tjetër përfaqësuesi i të paditurës, Ekrem Shabani, ka deklaruar se Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), nuk është përgjegjëse për shujta dhe benificione të tjera të cilat parashihen, pasi që nuk është nënshkruese e kontratës kolektive.

Ai shtoi se Drejtoria e Arsimit, nuk ka të drejtë ligjore, sipas ligjit mbi ndarjen buxhetore në Republikën e Kosovës, ku ky ligj i ndalon komunat që të paguajnë pagesat për shujta dhe udhëtim, pasi që këto janë çështje të nivelit qendror.

Pas administrimit të provave, është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse, ku përfaqësuesi i paditëses ka kërkuar që padia të aprovohet si e bazuar si dhe i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, Ekrem Shabani në fjalën e tij ka kërkuar nga gjykata që padia të refuzohet si e pabazuar.

Pas dëgjimit të fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjyqëse, gjykatësi Alush Sinani, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët në afat ligjor do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, punëtori Teknik, I.S., më 12 nëntor 2020 ka paditur Komunën e Vitisë, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në këtë komunë, me arsyetimin se ai ka qenë në marrëdhënie pune tek e paditura, me një përvojë pune mbi 20 vjeçare.

Me kërkesëpadi, paditësi po kërkon nga e paditura që atij t’ia paguajë shujtat ditore dhe shpërblimin jubilar në shumë të përgjithshme prej 1 mijë e 472 euro, si dhe kamatën ligjore në lartësi prej 8% sipas LMD-së, e cila do të llogaritet nga data e parashtrimit të padisë deri në pagesën definitive në afat prej 15 ditësh nga dita kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, si dhe pagesën e shpenzimeve të procedurës kontenstimore. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë