Punëtori i KEK-ut kundërshton ekspertizën që përgjegjësia për lëndimin në punë është e përbashkët

Pallati i Drejtesise  (5) (3)
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Nëntor 8, 2018

Prishtinë – Punëtori në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Liman Mjeku, po kërkon 4.900 euro kompensim, pasi pretendon se është lënduar në vendin e punës.

Për lëndimet e rënda trupore, që pretendon se ka pësuar, në vitin 2013 ai ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishitnë, duke kërkuar kompensim dëmi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Palët kishin pranuar ekspertizën me të cilën, eksperti i mbrojtjes në punë Azem Kyqyku, kishte vlerësuar se përgjegjësia për dëmin e shkaktuar është e përbashkët, edhe e paditësit, i cili sipas ekspertit, ka qenë i pakujdesshëm gjatë ndërmarrjes së veprimeve ne punë, por edhe i të paditurës, në këtë rast KEK-ut.

Lidhur me këtë padi, të enjten është mbajtur seanca gjyqësore, me ç’rast përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Blerim Syla, konfirmoi se ka pranuar ekspertizën, por për të tha se ka vërejtje.

Ai tha se i kundërshton konstatimet e dhëna në këtë ekspertizë.

“Konstatimi se paditësi ka deklaruar se me rastin e aksidentit e ka ditë se staza nuk është e përforcuar dhe se paditësi ka qenë duke u ngutur, nuk është i saktë”, ka thënë avokati Syla, duke shtuar se është tërësisht e kundërta me gjendjen reale dhe se normalisht, asnjë njeri që është mendërisht ne rregull, nuk e vë veten në rrezik, duke shkelur në një vend ku mund të lëndohet, por të paktën do të kalonte atë pjesë të rrezikshme.

Syla kërkoi sqarime nga eksperti, lidhur me konstatimin e tij.

Sipas ekspertit Kyqyku, një deklarim i tillë nuk është konstatim i tij, por është përgjigja e paditësit, dhe lidhur me këtë ai ka paraqitur edhe procesverbalin e marrjes në pyetje, ku paditësi, sipas tij, është përgjigjur në mënyrë siç është cekur në ekspertizë.

“Dokumentin që e prezantuat, si marrje në pyetje e tani paditësit, a është nënshkruar, apo përgjigjet qe janë shkruar, a janë të shkruara nga paditësi”, ishte pyetja e avokatit Syla.

Në pyetjen e përfaqësuesit, eksperti deklaroi se atë formular me pyetje standarde e përdor në çdo rast me qëllim të marrjes së të dhënave, për përpilimin e ekspertizës.

Avokati Syla kërkoi që konkretisht t’i përgjigjet pyetjes, eksperti deklaroi se “unë nuk jam i akuzuar këtu, që mem dredh e mem zhdredh”.

Por, eksperti më pas u përgjigj se formulari i marrjes në pyetje nuk ka nënshkrimin e paditësit.

Ndërsa, paditësi Mjeku, mohoi të ketë deklaruar ato që i thotë eksperti. “Unë nuk kam deklaruar ashtu, ato nuk janë fjalë të mia, por të atyre që kanë qenë me të”, ka thënë paditësi, duke shtuar se nga personat kompetent kishte kërkuar riparimin e stazave, të cilat ishin dëmtuar.

Përfaqësuesi Syla deklaroi se nuk e kupton logjiken e ndarjes së përgjegjësisë në mes të  paditësit  dhe KEK-ut, pasi që ekziston fletëparaqitja e lëshuar nga e paditura, me të cilën është konstatuar se shkaktar i aksidentit është lëshimi i të paditurës.

Deklarimin e përfaqësuesit të paditëses e kundërshtoi përfaqësuesi i të paditurës, Zenel Shala, duke deklaruar se përgjegjësinë, më rastin e aksidentit e cakton vetëm eksperti.

Sa i përket ekspertizës, përfaqësuesi i palës së paditur, KEK, deklaroi se nuk ka vërejtje.

Pas vërejtjeve, përfaqësuesi i paditëses, avokati Blerim Syla, propozoi marrjen e një ekspertize të re, ngase i njëjti kishte vërejtje lidhur me ekspertizën dhe sqarimeve të dhëna në seancë, nga ana e ekspertit.

I njëjti i propozoi gjykatës, që caktimin e një eksperti tjetër, nga lëmia e mbrojtjes dhe lëndimit  në punë, propozim i cili u pranua nga gjykatësi Enver Shabani.

Sipas padisë së ushtruar më 31 maj 2018, paditësi Liman Mjeku, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që ta detyroj të paditurën Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që për lëndime të rënda trupore të cilat i kishte pësuar në vendin e punës, ti kompensoj shumën prej 4.900 euro.

Sipas padisë, Liman Mjeku, kishte qenë në marrëdhënie të rregullt të punës, në kohën kur kishte ndodhur aksidenti, dhe më datën 17 mars 2012, duke zbritur shkallëve të ekskavatorit, kur ka shkelur stazen ajo ka lëvizur, është rrokullisur, dhe më që rast Liman Mjeku, kishte lënduar rëndë këmbën e djathtë.