PSRK ngritë aktakuzë ndaj dy të pandehurave për pjesëmarrje në veprimtaritë e ISIS-it

PSRK
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Maj 22, 2020

Prishtinë – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të premten, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër dy të pandehurave me inicialet L.I dhe A.A., pasi secila veç e veç dyshohet se e kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të PSRK-së.

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurat me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkangjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste “ISIS” (Islamic State of Iraq and the Sham), duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtaritë e saj.”, thuhet në njoftim.

“Po ashtu, e dyshuara A.A., me vëllain e bashkëshortit të saj, përmes Aeroportit të Tiranës “Nënë Tereza” kanë shkuar së pari në Stambol, e pastaj në Siri, ku, secila veç e veç, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik iu kanë ofruar shërbime logjistike ushtarëve – anëtarëve meshkuj të familjes, ashtu që e pandehura L.I., pas vrasjes së bashkëshortit të parë A.U., është martuar me K.K., nga Shkupi, e pas vrasjes së tij me N.H. nga Pogradeci, të cilët po ashtu aktivisht kanë luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik, deri sa ISIS-i e ka pësuar disfatën e plotë kur kanë qenë të detyruar që të dorëzohen te forcat Kurde të cilët pastaj me ndihmën e ushtrisë Amerikane i kanë deportuar në Kosovë më 24 prill 2019.”, thuhet tutje në komunikatën e PSRK-së.

Sipas kësaj prokurorisë, me këto veprime secila veç e veç, akzuohen se e kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi