Propozohet precizimi i kërkesëpadisë në rastin ku ish-punëtori i Trepçës po kërkon shpërblimin jubilar dhe tri pagat përcjellëse

Raporton: Albina KRASNIQI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përfaqësuesi i paditësit Emin Gashi, avokati Labinot Buzuku ka propozuar precizimin e kërkesëpadisë në rastin ku Gashi po kërkon nga Trepça – me Flotacion Kishnicë dhe Artanë shpërblimin jubilar dhe tri pagat përcjellëse. Me këtë, kërkohet që e padtura t’ia paguajë paditësit shumën e përgjithshme prej 3 mijë e 240 euro.

Fillimisht, në seancën e së premtes, gjyqtarja Shpresa Veselaj ka njoftuar se pala e paditur nuk është prezente dhe se e njëjta më 27 janar ka dorëzuar në gjykatë parashtresën, me të cilën ka kërkuar që të shtyhet seanca për një datë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, avokati Buzuku propozoi që seanca të mbahet pa praninë e palës së paditur për arsye se do ta bëjë precizimin e padisë.

Pas kësaj, gjyqtarja Veselaj, sipas dispozitës së nenit 409, paragrafi1, të Ligjit për Procedurë Kontestimore, ka marrë aktvendim që të mbahet seanca, me arsyetimin se parashtresa e dorëzuar nga ana e paditura për shtyrje të seancës, nuk paraqet rrethanë e cila nuk ka mundur që të parashikohet ose të evitohet.

Më pas, avokati Buzuku ka bërë propozimin për precizimin e kërkesëpadisë sa i përket lartësisë së saj, ashtu që në emër të shpërblimit jubilar dhe tri pagave përcjellëse ka kërkuar që e paditura t’ia paguajë paditësit Gashi shumën e përgjithshme prej 3 mijë e 240 euro.

I njëjti i ka propozuar gjykatës që në seancës e shqyrtimit kryesor të administrohen provat e paraqitura me padi, e të cilat janë vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, kontrata e punës, libreza e punës dhe pasqyra bankare të paditësit lidhur me lartësinë e tri pagave të fundit.

Gjyqtarja Veselaj ka aprovuar propozimin e avokatit Buzuku për administrimin e provave të paditësit Gashi dhe të paditurës, të bashkëngjitura në përgjigje në padi.

E njëjta tha se sa i përket propozimit për precizimin e kërkesëpadisë lidhur me lartësinë e kërkesës, gjykata do të vendos në seancën e radhës, e cila u caktua të mbahet më 24 shkurt 2022.

Ndryshe, në padinë e ushtruar më 14 gusht 2020 thuhet se paditësit Emin Gashi i është ndërprerë marrëdhënia e punës më 1 tetor 2018, pasi që i njëjti kishte arritur moshën 66 vjeçare dhe ishe pensionuar.

Në padi thuhet se paditësi ishte i sistemuar në vendin e punës KL – Elektricist në Flotacion të Departamentit të Minierave  me Flotacion “Kishnicë dhe Artanë” dhe se para arritjes së moshës së pensionimit e kishte pagën neto 410 euro.

Tutje, sipas padisë, paditësi gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri pagave në bazë të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar 2015 dhe se e njëjta ka qenë në fuqi kur paditësi është pensionuar.

Mbi këtë bazë, paditësi Gashi po kërkon nga gjykata që të detyrohet e paditura Trepça që t’ia paguajë paditësit tri pagat jubilare dhe tri pagat përcjellëse me rastin e pensionimit, me kamatë ligjore prej 8% nga data e ushtrimit të padisë deri në pagesën definitive.

Në anën tjetër, në përgjigjen në padi të dhënë më 27 janar 2022, e paditura ka kërkuar nga gjykata që të refuzohet si e pabazë kërkesëpadia e ish-punonjësit të saj Gashi, pasi që është e pabazë dhe të detyrohet i njëjti që t’i paguajë shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë