Propozohet pajtim gjyqësor në rastin ku paditësi po kërkon kompensim dëmi nga “Prisig” për lëndimet e rënda trupore
Raporton: Ronesa DRAGUSHA
Prishtinë – Të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përfaqësuesi i palës paditëse Fatbardh Makolli ka propozuar arritjen e një pajtimi gjyqësor mes paditësit A. G dhe Kompanisë së Sigurimeve (K.S) “Prisig” pasi të bëhet precizimi i padisë.
Një propozim të tillë nuk e ka kundërshtuar përfaqësuesja e së paditurës ,K.S “Prisig”, Valentina Vitia, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi i rastit Alajdin Tërshnjaku e ka aprovuar propozimin e avokatit Makolli, të cilit i ka dhënë tre ditë kohë për t’ia dorëzuar gjykatës precizimin e kërkesëpadisë.
Ndryshe me padinë e datës 23 Korrik 2017 A.G ka paditur kompaninë e sigurimeve “Prisig”, për dëmet materiale dhe jomateriale të cilat paditësi ka pësuar në aksident komunikacioni.
Sipas padisë deri tek aksidenti ka ardhur si pasojë e mos respektimit të rregullave të komunikacionit nga drejtuesi I automjetit, vetura e të cilit ka qenë e siguruar në “Prisig”.
Mbi këtë bazë, me padi, paditësi A.G kërkon kompensimin e dëmit material dhe jomaterial, nga e paditura “Prisig” në shumën e përcaktuar nga ekspertiza me kamatë prej 12% nga dita e paraqitjes së kërkesëpadisë.
Ndërsa sipas përgjigjes në padi të datës 25 Janar 2018, e paditura “Prisig”, ka kontestuar bazën juridike të kërkesëpadisë, duke theksuar se deri tek aksidenti ka ardhur si pasojë e veprimeve të paditësit A.G, ku thuhet se ka qenë duke e kaluar rrugën në mënyrë të pasigurtë në Magjistralen Pejë-Prishtinë, në fshatin Sllatinë.
Mbi këtë bazë e paditura “Prisig” ka kërkuar që kërkesëpadia e paditësit A.G të refuzohet si e pabazuar.