Propozohet marrja e provës me ekspertizë financiare në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të Doganës së Kosovës

IMG_4236
Author

Raporton: Premton SADIKU

Korrik 8, 2021

Prishtinë – Është propozuar marrja e provës me ekspertizë financiare në rastin ku paditësi–subjekti juridik “Ardi” sh.p.k po kërkon nga Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë anulimin e vendimit të Doganës së Kosovë, lidhur me vlerën e mallit lëndor të deklaruar për zhdoganim.

Propozimi në fjalë u bë nga përfaqësuesja e paditësit, avokatja Lirika Sylaj.

“Me qëllim të përcaktimit të vlerës së saktë të objektit të kontestit, propozoj marrjen e provës me anë të ekspertizës financiare përmes së cilës do të përcaktohet vlera e saktë e objektit të kontestit dhe diferenca e shumës së paguar më tepër nga paditësi si rezultat i rivlerësimit të mallit”, tha ajo.

Ky propozim u aprovua nga gjyqtari i çështjes Fisnik Nuli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, Sylaj deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë dhe i kundërshtoi pretendimet e palës së paditur, të parashtruara në përgjigje në padi.

Kurse, përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Blerim Pruthi e kundërshtoi në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit dhe kërkoi nga gjykata që ta lë në fuqi vendimin e kontestuar.

Sipas tij, paditësi ka prezantuar transferet bankare që mbajnë vlerën e paguar në euro, ndërsa fatura është lëshuar në dollarë si dhe i mungon data e faturës në përshkrim të transferit.

“I kundërshtoj pretendimet e parashtruara nga e paditura në seancën e sotme sa i përket pagesës së kryer në euro, pasi që shuma ose vlera e faturës e lëshuar në dollar është e njëjta por vetëm e transferuar në euro, që do të thotë se pagesa është për të njëjtën faturë”, deklaroi Sylaj.

Për seancën e radhës, gjyqtari Nuli njoftoi se palët ndërgjyqëse do të njoftohen me ftesa të rregullta, pasi që gjykata ta pranojë ekspertizën.

Sipas padisë së ushtruar më 13 maj 2019, “Ardi” sh.p.k. e ka paditur Doganën e Kosovës lidhur me anulimin e vendimit të lëshuar nga ky organ, me të cilin të njëjtit i është refuzuar si e pabazuar.

Siç thuhet në padi, në bazë të konstatimit të gabuar të gjendjes faktike, Dogana e Kosovës ka aplikuar gabimisht dispozitat materiale dhe e ka detyruar paditësin të paguajë taksa importuese më të larta sesa që duhej të paguante realisht. Poashtu, Dogana e Kosovës ka shkelur dispozitat procedurale sepse nuk ka mundur të kontestojë vlerën e mallit në bazë të provave dhe fakteve ashtu siç duhet dhe ka dështuar të dëshmojë jovlefshmërinë e dokumenteve përcjellëse të mallit.

Aty thuhet se sipas vendimit të Doganës së Kosovës, Zyra e Pranimit Qendror ka vepruar drejtë kur ka kontestuar vlerën e mallit lëndor kontestues, pasi që vlera e mallit të deklaruar për zhdoganim nuk është vlera reale e paguar për mallin, për arsye se është deklaruar vlerë më e vogël se vlera reale e paguar apo që ka për t’u paguar për mallin e shitur për eksport përkatësisht për import.

Në vendimin e Doganës së Kosovës poashtu thuhet se Zyra e Pranimit Qendror ka vepruar drejtë kur gjatë vlerësimit të mallit është bazuar në metodën e gjashtë të vlerësimit, neni 35 i Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës dhe se Dogana e Kosovës nuk mund të bëjë konstatim tjetër të gjendjes faktike nga gjendja dhe çmimi i përcaktuar nga zyra doganore. /BetimipërDrejtësi