Propozohet ekspertizë financiare për kalkulimin e interesit dhe kamatës për shkak të parapagimit të dy kredive

Author

Raporton: Premton SADIKU

Shtator 9, 2021

Prishtinë- “Sharra Company” sh.p.k. ka kërkuar që të bëhet ekspertizë financiare për kalkulimin e interesit, të cilin e paditura “Banka TEB” sh.a. ia ka ndalur paditëses me rastin e parapagimit të dy kredive si dhe kalkulimin e kamatës mbi këtë shumë që i është ndalur paditëses nga e paditura.

Kërkesën për ekspertizë financiare, paditësja e ka bërë në seancën e së enjtes, në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që e ka paditur “Bankën TEB” me qëllim të anulimit të pjesshëm të marrëveshjes për kredi, në vlerë prej 6 mijë euro.

Përfaqësuesi i autorizuar i paditëses, avokati Editon Osmani deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë dhe kërkoi nga gjykata anulimin e nenit 4, paragrafit 4.6 të Marrëveshjes mbi Kredinë i datës 15 prill 2016 dhe Marrëveshjes mbi Kredinë i datës 24 nëntor 2016 për shkak se është në kundërshtim me nenin 1068 të LMD-së së vjetër.

Ndërkaq, lidhur me pretendimin e të paditurës se kërkesa e paditëses është e pasafatshme, avokati Osmani deklaroi se afati i përmendur në përgjigja në padi ka të bëjë me kontrata të rrëzueshme e jo me kontrata absolutisht nule.

Përfaqësuesi i lartë ligjor i të paditurës, Misim Fetahu deklaroi se mbetet pranë përgjigjes në padi dhe e kundërshtoi nxjerrjen e ekspertizës financiare, për shkak se sipas tij, paditësja nuk ka bazë ligjore për këtë, pasi që kërkesa e paditëses është shuar për shkak të skadimit të afatit kohor për anulimin e këtij neni.

Gjyqtari i çështjes, Adnan Konushevci deklaroi se lidhur me këtë do të vendos me aktvendim të veçantë jashtë seancës, me çka edhe përfundoi seanca e sotme.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar në nëntor të vitit 2019, paditësja “Sharra Company” sh.p.k. e ka paditur “Bankën TEB” sh.a. për shkak të anulimit të pjesshëm të marrëveshjes për kredi, në vlerë prej 6 mijë euro.

Në padi thuhet se më 15 prill 2016, paditësja dhe e paditura kanë nënshkruar marrëveshjen mbi kredinë, ku e paditura ishte e obliguar të disbursojë në favor të të paditurës 90 mijë euro me një afat maturimi prej 60 muajsh. Më pas më 24 nëntor 2016 paditësja dhe e paditura kanë nënshkruar marrëveshjen mbi kredinë, ku e paditura ishte e obliguar të disbursojë në favor të të paditurës 32 mijë euro me një afat maturimi prej 72 muajsh.

Sipas padisë, paditësja ka parashtruar kërkesë për parapagim të kredive aktive tek e paditura, e më pas e paditura i ka kërkuar paditëses që në emër të provizionit ndëshkues për parapagim të kredisë para afatit të maturimit të paguajë 50% të kamatës së mbetur ashtu siç parashihej në nenin 4, paragrafin 4.6. të marrëveshjes së lartcekur, me ç’rast paditësja kishte paguar 6 mijë euro.

Gjithnjë sipas padisë, paditësja konsideron se ky nen është i kundërligjshëm sepse është në kundërshtim me nenin 1068 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vjetër dhe nuk prodhon efekt juridik. /BetimipërDrejtësi