Propozohet ekspertizë financiare në rastin ku paditësja po kërkon anulimin e vendimit të MPMS-së

Raporton : Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Është propozuar ekspertizë financiare në rastin ku paditësja V.V po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), më të cilin i është refuzuar ankesa për kompensim për persona paraplegjik dhe tetraplegjik të grupit të parë.

Sipas vendimit, paditëses i është refuzuar ankesa me arsyetimin se nga mjekët specialist të fushës përkatëse është konstatuar se e njëjta i përket grupit të dytë të personave paraplegjik dhe tetraplegjik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, përfaqësuesja e autorizuar e palës paditëse, avokate Arbnora Shefkiu, propozoi që të bëhet një ekspertizë financiare me qëllim për të llogaritur pjesën retroaktive të kompensimit.

E ky propozim më pas u aprovua edhe nga gjykatësja e çështjes, Lirije Maksutaj.

Seanca e radhës për këtë çështje do të caktohet pas pranimit të ekspertizës.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 21 qershor 2021, paditësja po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të MPMS-së.

Në padi thuhet se vendimi i të paditurës përmban shkelje të dispozitave ligjore dhe se arsyetimi është kontradiktor me vetveten ashtu që me rastin e marrjes së këtij vendimi është vërtetuar gabimisht gjendja faktike.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 1 shtator 2021 kishte aprovuar padinë e paditësit, por pas ankesës së MPMS-së, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë duhet të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit kontestues, vendimi i marr nga e paditura dhe të përcaktoj saktë vlerën mujore të kësaj të drejte nga paditësja  si dhe periudhën kohore prej të cilës i njihet kjo e drejtë./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë