Propozohet ekspertizë financiare në rastin ku ish-asistenti i Fakultetit Juridik pretendon se është larguar nga puna në mënyrë të kundërligjshme

Raporton: Lirikë KAMBERI

Prishtinë – Ish – asistenti i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës A.A. ka propozuar ekspertizë financiare në rastin ku ka paditur Universitetin e Prishtinës për anulim të vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

A. po kërkon që detyrë e ekspertit të jetë llogaritja e pagës, tatimit në pagë si dhe kontributeve pensionale që do të realizonte sikur e paditura Universiteti i Prishtinës të mos ia ndërpriste kontratën e punës, duke filluar nga data 1 janar 2017, deri në datën e përpilimit të ekspertizës.

Kurse përfaqësuesi i Universitetit të Prishtinës, Safet Thaqi ka kundërshtuar nxjerrjen e provës me anë të ekspertizës, për faktin se pas shkëputjes së marrëdhënies së punës nga kontrata e fundit, i njëjti nuk ka kontratë tjetër me të paditurën.

Gjykatësi Hysni Bardheci e ka aprovuar kërkesën e paditësit A., kurse seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të ekspertizës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, paditësi A. ka deklaruar se tek e paditura Universiteti i Prishtinës ka qenë në marrëdhënie punë qysh nga viti 2008, deri kur e njëjta në mënyrë të njëanshme ka ndërprerë marrëdhënien e punës me datës 23 janar 2017 pa paralajmërim duke u thirr gjoja në mospërmbushjen e detyrave sipas kontratës dhe moszbatimit të vendimit të Këshillit Drejtues të datës 13 tetor 2016.

“Vendimi i të paditurës për ndërprerje të marrëdhënies së punës është joligjor, diskriminues për shkak se tek paditura në këtë pozitë për herë të fundit jam përzgjedhur me datë 21 korrik 2016 dhe në aplikacion kam paraqitur edhe faktin që jam i emëruar si noter, të cilin fakt e kam paraqitur edhe në vitin 2013, andaj nëse nuk do t’i përmbushja detyrat e punës nuk do të zgjidhesha prapë”, tha ai.

I njëjti ka shtuar se pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, nga e paditura i është ofruar një kontratë pune me honorar për periudhën 15 shkurt 2017, deri me 30 qershor 2017, të cilën e ka nënshkruar duke i paraqitur edhe vërejtjet lidhur me të.

Më tutje, A. tha se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës thirret në vendimin e Këshillit Drejtues të datës 13 tetor 2016, i lëshuar pas lidhjes së kontratës së punës dhe ky vendim paraqet çështje të cilat është dashur të rregullohen me rregullore dhe jo me vendim dhe shtoi se ky vendim i trajton stafin akademik në mënyrë jo të barabartë edhe diskriminuese.

Gjithashtu, ai theksoi se në arsyetimin e vendimit mbi shkëputjen e marrëdhënies së punës e paditura ka theksuar se paditësi ka deklaruar si pagë primare UP-në ndërsa si pagë sekondare punën si noter.

Sipas tij, një pretendim i tillë në realitet nuk qëndron për shkak se në deklaratën të cilën e ka paraqitur tek e paditura është pajtuar që të kaloj me pagë sekondare edhe pse orët e punës i ka vazhduar në përputhje me kontratën e punës.

Kurse, përfaqësuesi i të paditurës Universiteti i Prishtinës, Safet Thaqi ka deklaruar se Këshilli Drejtues si organ më i lartë i UP-së, përkatësisht në bazë të nenit 22 të Statutit të Universitetit të Prishtinës ka për obligim të definojë parimet mbi punësimin, delegimin, nivelizimin, promovimin, suspendimin, shkarkimin dhe përcaktimin e nivelit të pagave dhe të kushteve të punës për personelin akademik.

Tutje, Thaqi ka shtuar se Universiteti i Prishtinës me vendimin e datës 13 tetor 2016 ka përcaktuar kushtet dhe kriteret që duhet të përmbajë personeli akademik, pika 2 e këtij vendimi është e qartë dhe thekson se: personeli akademik që ka marrëdhënie pune në një institucion tjetër brenda apo jashtë vendit e duke filluar nga organizatat joqeveritare, noteritë, avokat, përmbarues privat e të ngjashëm obligohen që deri me 31 tetor 2016 të deklarohen se a dëshirojnë të kenë pagë primare më UP-në.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës në zbatim të këtij vendimi për të gjithë ata që nuk kanë deklaruar se do jenë me orar të plotë në UP, siç përcakton pika e parë e vendimit nga ora 08:00 deri në 16:00,  atëherë i është shkëputur marrëdhënia e rregullt e punës, ndërsa janë kthyer si bashkëpunëtorë të jashtëm dhe si të tillë është dashur ti nënshtrohen konkurseve të cilat i përcakton e paditura çdo vit sipas nevojave akademike, theksoi Thaqi.

“Sa i përket faktit se paditësi ka njoftuar të paditurën nga konkursi i vitit 2016 se i njëjti është emëruar si noter këtë nuk e mohon e paditura për shkak se është e ditur duke qenë se është diçka publike por vendimi i Këshillit Drejtues i ka detyruar të deklarojnë nëse dëshirojnë të kenë punë primare me Universitetin e Prishtinës, në të kundërtën kanë qenë të njoftuar se si do të veprohet nëse nuk dëshirojnë”, tha Thaqi.

Kurse, sa i përket diskriminimit i njëjti u shpreh se nuk ka të bëjë farë me diskriminim për shkak se vendimi i Universitetit të Prishtinës nuk është individual por i ka përcaktuar kriteret brenda fushëveprimit të tij dhe këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një kategori por me drejtor të organizatave joqeveritare, avokat, noter, përmbarues, anëtarë Bankës Qendrore të Kosovës dhe të tjera.

Ndryshe me padinë e datës 22 mars 2017, A.A. ka paditur Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për anulim të vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, të datës 23 janar 2017.

Sipas padisë, paditësi A. për herë të parë është zgjedhur asistent në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2008 në Katedrën Penale për periudhë tre vjeçare, gjithashtu përmes konkursit është përzgjedhur edhe në vitin 2012, për periudhë tre vjeçare, njëjtë  edhe për vitin 2016.

Në padi thuhet se paditësi ka lidhur kontratë pune me Universitetin e Prishtinës për periudhën nga 29 qershor 2016, deri me 29 qershor 2019, sipas të cilës specifikohen rastet e mospërtëritjes së kontratës dhe atë: me marrëveshje me shkrim mes palëve, në rast të mos përmbushjes së kënaqshme nga të detyrave nga i punësuari, kur nuk ka buxhet të mjaftueshëm për vendin e punës, shuarja e vendit të punës dhe skadimi i kontratës sipas fuqisë ligjore.

Paditësi A. në padi ka shprehur se me datë 23 janar 2017, e paditura në mënyrë të kundërligjshme i ka ndërprerë marrëdhënien e punës, kinse nga shkaku i mospërmbushjes së përgjegjësive dhe detyrave të punës të përcaktuara me kontratë, me ç’rast paditësi ka paraqitur ankesë në Këshillin Drejtues të Universitetin e Prishtinës, por e cila sipas tij nuk është shqyrtuar fare.

Më tutje në padi ceket se me datë 13 tetor 2016, nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës është nxjerr një vendim, pas nënshkrimit të kontratës së punës, me të cilin sipas padisë nuk kanë mundur të ndryshohen kushtet e kontratës, për shkak se me kontratë është e paraparë që në çdo rast të mosmarrëveshjes dispozita mbizotëruese do të jenë dispozitat e Ligjit të Punës.

Gjithashtu, sipas padisë ky vendim është diskriminues për shkak se ka të bëjë me trajtimin selektiv të stafit akademik nga ana e punëdhënësit, ngase stafin akademik në të njëjtën situatë nuk e ka trajtuar në mënyrë të njëjtë, për shkak se vendimi në fjalë ka numëruar vetëm një vetëm një sferë të ngushtë të profesioneve ose veprimtarive private, e që sipas padisë lënë përshtypjen se është draftuar kundër profesionit të juristit.

Sipas padisë paragrafi i dytë i vendimit të Këshillit Drejtues duke dhënë shembullin e një numri të kufizuar të profesioneve, e pa përcaktuar asnjë kriter përmbajtjesore se ndaj cilave grupe të interesit është i aplikuar, mbi cilat baza ose kritere objektive dhe cilat synime pretendohen të realizohen, vetëm themelon mundësinë e pakufishme të trajtimit jo të barabartë, diskriminues dhe gjegjësisht arbitrar të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.

Në padi paditësi A. ka potencuar se në qoftë se do të vlerësohej dhe shqyrtohej vendimi mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës vetëm nga shkaku i mospërmbushjes së kënaqshme të detyrave të punës, atëherë për bazë do të merreshin dispozitat e Ligjit të Punës.

Mbi këtë bazë, me anë të padisë A. ka kërkuar që të aprovohet kërkesëpadia e tij, të kthehet në vendin e punës tek e paditura “Hasan Prishtina”, të detyrohet e paditura që t’i paguaj pagat dhe kontributet tjera deri në datën e kthimit në punë si dhe t’ia kompensojë dëmin jomaterial për shkak të diskriminimit./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë