Propozohet dëgjimi i paditësit në cilësi të palës, në rastin ku i njëjti po kërkon 500 mijë euro për shpifje e fyerje nga “Bota Sot”

Raporton: Albina KRASNIQI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përfaqësuesi i paditësit Ekrem Jashari, avokati Faton Qirezi, në seancën e së premtes ka propozuar që të dëgjohet paditësi në cilësinë e palës, në rastin ku i njëjti po kërkon nga gazeta “Bota Sot” dhe kryeredaktori i saj Bajrush Morina, kompensimin e dëmit jomaterial në shumën prej 500 mijë euro për shpifje dhe fyerje.

Fillimisht, avokati Qirezi deklaroi se qëndron pranë padisë dhe propozimit për provat nga padia si dhe i njëjti tha se pas shqyrtimi të këtyre provave do të vërtetohet se të paditurit kanë kryer deliktin civil të shpifjes ndaj paditësit dhe se duhet t’ia kompensojnë dëmin në vlerën e caktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, gjykatësja Donikë Dobruna e ka pyetur palën paditëse nëse e posedojnë kontratën mbi ndërtimin, të cilën e kanë theksuar në padi, mirëpo avokati Qirezi tha se tërhiqen nga dorëzimi i së njëjtës.

Në seancën e së premtes nuk ka prezantuar askush nga palët e paditura.

Për të paditurën “Bota Sot”, gjykatësja Dobruna tha se fletëdorëzuesi i gjykatës kishte tentuar ta dorëzojë ftesën, mirëpo personi që punon aty nuk e ka pranuar.

Ndërsa, për të paditurin Morina, gjykatësja tha se ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt sipas procesverbalit nga seanca e kaluar, mirëpo i njëjti mungesën e tij në këtë seancë nuk e ka arsyetuar.

Sa i përket propozimit për dëgjimin e paditësit në cilësi të palës, gjykatësja Dobruna deklaroi se për një gjë të tillë do të vendos në seancën e radhës, pasi që palëve të paditura duhet t’iu ofrohet mundësia e kundërshtimit të një propozimi të tillë.

Seanca e radhës do të mbahet më 2 shkurt 2022.

Sipas padisë së ushtruar më 30 maj 2012, Ekrem Jashari ka paditur gazetën “Bota Sot” dhe kryeredaktorin e saj Bajrush Morina, nga të cilët po kërkon shumën prej 500 mijë euro në emër të kompensimit të dëmit jomaterial për shpifje dhe fyerje.

Në padi thuhet se tani paditësi Jashari ishte informuar se më 16 maj 2012 është publikuar një artikull në gazetën e përditshme “Bota Sot”, me titull “Ekrem Jashari dora e djathtë e Azem Sylës, mik i kryetarit të Vitisë N.Arifi”, me një fotografi të dy personave të mbështetur për një veture, njëri Nazim Bllaca e tjetri i aluduar si Ekrem Jashari si dhe shkrimi tjetër, në të cilin është shkruar se “Kjo fotografi duket se është edhe një dëshmi tjetër e Nazim Bllacës që flet për lidhjet e tij me disa prej “BOSEVE”, të krimit të organizuar në Kosovë”.

Po ashtu, sipas padisë,  në këtë artikull thuhet se ka pasur edhe të pavërteta tjera si ajo ku është pohuar se tani paditësi Jashari ka pasur lidhje të ngushtë me Novosellët, ku ka blerë një ngastër dhe ka ndërtuar një ndërtesë të madhe në Ferizaj si dhe për të njëjtin është thënë se e ka martuar bijën e tij me djalin e kryetarit të Vitisë.

Bazuar në padi, këto pretendime të të paditurave nuk janë të vërteta për faktin se tani paditësi thuhet se nuk ka qenë në atë fotografi të publikuar te e paditura, mirëpo e njëjta thuhet se është bërë me qëllim të shpifjes dhe fyerjes ndaj tij.

Tutje në padi thuhet se shprehja “Ekrem Jashari dora e djathtë e Azem Sylës, koordinues i punëve gjithmonë me Azem Sylën lidhur me eleminimin e kundërshtarëve”, e ka kuptimin e ndërmarrjes së veprimeve kriminale si në raport me Azem Sylën ashtu edhe me tani paditësin Jashari, pasi që kjo thuhet se nuk është e vërtetë dhe qëllimi i këtij shkrimi ka qenë dëmtimi i rëndë i nderit dhe autoritetit të tij.

Mbi këtë bazë, ai po kërkon nga gjykata që të detyrohen të paditurat që atij t’ia kompensojnë dëmin jomaterial në shumën prej 500 mijë euro për shpifje dhe fyerje si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndryshe, sipas përgjigjes në padi të dhënë më 14 prill 2014, nga i padituri Bajrush Morina thuhet se shkrimi i botuar në gazetën “Bota Sot”, është deklaratë e Nazim Bllacës, për të cilin thuhet se kishte bërë të ditur se në proceset e ardhshme gjyqësore do të dëshmojë kundër Azem Sylës dhe tani paditësit Ekrem Jashari.

Po ashtu, sipas përgjigjes në padi thuhet se sa i përket fotografisë së botuar në këtë gazetë, thuhet se të njëjtën Nazim Bllaca kishte thënë se e kishte postuar edhe në rrjetin e tij social “Facebook”, ku bazuar në këtë foto, kanë pasur qasje edhe persona tjerë.

Tutje, në përgjigje në padi thuhet se meqenëse para publikimit të shkrimit redaksia nuk ka pasur mundësi të kontaktimit me tani paditësin Jashari as përmes telefonit e as në ndonjë adresë tjetër, e njëjta atij i ka dhënë mundësinë që të përgjigjet dhe reagojë ndaj këtij shkrimi, sipas paragrafit IV, pika 2 e Kodit të Mediave të Shkruara, në të cilën thuhet se përcaktohet e drejta e përgjigjes. /BetimipërDrejësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë