Propozohen prova materiale në gjykimin ndaj ish-drejtorit të Urbanizimit në Ferizaj dhe të tjerëve

IMG_1354
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Dhjetor 6, 2019

Ferizaj – Në shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore të Ferizaj, është bërë leximi i provave materiale nga shkresat e lëndës, në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohet ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, Faik Grainca.

Ish-drejtori Grainca akuzohet nga prokuroria se duke ushtruar detyrën zyrtare, nuk i kishte verifikuar nënshkrimet e një peticioni të qytetarëve, i cili kishte të bënte me Planin Zhvillimor Komunal, për zonën 8 të rrugës “Astrit Bytyqi” në Ferizaj, e të cilat nënshkrime, sipas prokurorisë, kishin rezultuar të jenë të falsifikuara.

Në këtë rast, bashkë me ish-drejtorin Grainca, për falsifikimin të dokumenteve po akuzohen Izer Ramadani dhe Arben Kurtishi.

Po ashtu, nga i akuzuari Grainca si dhe nga përfaqësuesi i të dëmtuarve, avokati Kushtrim Palushi, janë propozuar edhe disa prova të tjera materiale, për të cilat prokurori Burim Çerkini nuk kishte kundërshtime.

Ndër të tjera, avokati Palushi ka propozuar që si prova të administrohen edhe disa video-incizime të seancave të Kuvendit Komunal, të cilat tha se do ndihmojnë në ndriçimin e kësaj çështje penale.

Ndërsa, i akuzuari Grainca tha se shumica e provave të propozuara nuk kanë të bëjnë asgjë me akuzën me të cilën ngarkohet nga prokuroria.

“Sa i përket provave, një pjesë e shkresave janë pjesë e ministrive, dhe nëse ka ndonjë implikim duhet të përgjigjen vet ministritë. Një pjesë e dokumenteve janë lëshuar nga organet e administratës ku unë nuk jam i implikuar, dhe aty ku unë kam nënshkruar jam i gatshëm për secilën të përgjigjem. Këto prova kanë mundur ose mund të jenë objekt shqyrtimi i shkallës së dytë, pra i departamentit ligjor të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe disa të tjera është dashtë apo kanë mundur të jenë objekt i shkallës së dytë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe objekt i Gjykatës Administrative”, deklaroi i akuzuari Grainca.

Lidhur me aprovimin e këtyre propozimeve, kryetari i trupit gjykues, Sahit Krasniqi, tha se palët do të njoftohen në seancën e ardhshme.

Seancat e radhës janë caktuar më 13 dhe 14 janar 2020, në orën 09:30.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj, në fund të muajit dhjetor të vitit 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Faik Graincës, i cili po akuzohet se më 9 gusht 2017, në cilësi të drejtorit në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit, në Komunën e Ferizajt, si dhe si person përgjegjës i komisionit për shqyrtim të planit zhvillimor komunal, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke i shkelur të drejtat e personave të tjerë.

Sipas aktakuzës, Grainca, duke ushtruar detyrën zyrtare në këto cilësi, nuk i ka verifikuar nënshkrimet në një peticion të qytetarëve, i cili kishte të bënte me planin zhvillimor për zonën 8, të rrugës “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj, e të cilat nënshkrime kishin rezultuar të jenë të falsifikuara.

Tutje, në akuzë thuhet se tani i akuzuari Faik Grainca, ka qenë në dijeni se këto nënshkrime janë të falsifikuara ku si pasojë është lejuar që rruga “Astrit Bytyqi”, të mbetet banim kolektiv, edhe pse qytetarët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Gjithnjë sipas aktakuzës, si rezultat i peticionit të falsifikuar, Kuvendi Komunal i Ferizajt kishte aprovuar planin urbanistik për rrugën në fjalë, duke i shkelur të drejtat e tani të dëmtuarve Imri e Bekim Haliti dhe Orhan Ibrahimi.

Pika 2 e aktakuzës, ndërkaq akuzon dy të pandehurit e tjerë në këtë rast Izer Ramadani dhe Arben Kurtishi, për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”.

Sipas kësaj pike të akuzës, të pandehurit Ramadani dhe Kurtishi, gjatë muajve prill – maj të vitit 2017, në Ferizaj, kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime nga banorët e lagjeve të tjera të Ferizajt, ashtu që të njëjtat nënshkrime t’i përdorin si origjinal, kinse banorët e zonës 8, rrugën “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj, kanë dhënë pëlqimin që kjo zonë të mbetet banim kolektiv, edhe pse banorët e kësaj lagje kanë qenë për banim individual. /BetimipërDrejtësi06