Pronari i firmës ndërtuese thotë se nuk ka përfituar nga ndryshimi i projektit të Ministrisë

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Naim Besimi, pronar i firmës ndërtimore “Getoari” në Prizren, ka dëshmuar në shqyrtimin e të enjtes, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj të akuzuarit Ibër Alaj.

Besimi, ka thënë se firma e tij ka kryer të gjitha obligimet sipas kërkesës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për vendosjen e rrethojës së stadiumit “Përparim Thaqi” në Prizren.

Ai ka mohuar të ketë përfituar nga ky ndryshim projekti, sipas tij, ai vetëm ka humbur në këtë rast, por pasi që kishte filluar projektin nuk ka dëshiruar që të tërhiqet.

Ky dëshmitar, tutje ka shtuar se fillimisht në kontratë dhe projektin fillestar ishte planifikuar vendosja  rrethojave me konstruksion të betonit, por më pas ishte ndryshuar projekti dhe ishte vendosur që të bëhet rrethoja me konstruksion metalik.

Dëshmitari ka sqaruar se ka qenë presioni i banorëve përreth stadiumit, të cilët nuk kanë qenë dakord me planin e parë për të vendosur një mur prej 5 metrave lartësi. Një arsye tjetër kishte qenë edhe se FIFA dhe UEFA, kanë këshilluar ministrinë që të mos rrethohen më stadiumet me mur, por me rrethoja metalike.

Në këtë seancë ishte ftuar për të dëshmuar edhe eksperti i ndërtimtarisë, Liman Mustafa, i cili ka bërë një ekspertizë në këtë rast, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur me kërkesë të prokurorit.

Prokurori i rastit, Sefer Morina, ka kërkuar që eksperti mos të merret në pyetje, sepse nuk e kishte ekspertizën në shkresat e lëndës, ndërsa aktakuzën e kishte ngritur një prokurorë tjetër dhe nuk e dinte se pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Osman Havolli, nuk e ka kundërshtuar propozimin e prokurorit.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xhevdet Elshani, ka miratuar kërkesën e prokurorit, shqyrtimin e ka ndërprerë dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar me 8 nëntor 2016, në ora 09:00.

Më 18.03.2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ibër Alaj, të cilin e akuzon se ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, Alaj i ka mundësuar kompanisë “Getoari” përfitim material, duke e ndryshuar projektin për renovimin e stadiumit “Përparim Thaqi” në Prizren, ku operatori ka pasur për detyrë që të ndërtojë mur rrethues, ndërsa në vend të murit është vendosur një rrethojë metalike.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë