Pronari i fabrikës “FAN” mohon t’i jetë shmangur tatimit, ftohet si dëshmitar inspektori tatimor

foto nga seanca, 10 tetor, fabrika FAN
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Tetor 10, 2019

Podujevë – Pronari i fabrikës “FAN” në Podujevë, Agim Deshishku, ka mohuar se gjatë periudhës 2010-2012, i është shmangur tatimit, në rastin ku ai akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.

Sipas aktakuzës së ngritur ndaj tij më 28 qershor 2016, Agim Deshishku akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, për vete apo personin tjetër, nuk ka deklaruar në ATK qarkullimin që ka pasur në kuadër të aktivitetit të tij afarist, ku i është shmangur tatimit në vlerë prej 70,416.75 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, i akuzuari Deshishku ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për një vepër të tillë penale, duke thënë se do të vërtetohet pafajësia e tij.

Prokurori Shpend Krasniqi, ka kërkuar që kjo seancë të ndërpritet dhe sipas tij, për seancën e ardhshme të ftohet inspektori tatimor që e ka kryer kontrollin në këtë fabrikë.

Ai i ka propozuar gjykatës që të ftohet Bujar Fusha, inspektor tatimor, me qëllim të sqarimit të shumës së shmangies nga tatimi, pasi që i akuzuari Deshishku e konteston atë.

Lidhur më këtë propozim, është pajtuar edhe mbrojtësi me autorizim, i të akuzuarit Deshishku, avokati Ismajl Selimi, sipas së cilit, është me rëndësi që të deklarohet hartuesi i raportit në fjalë.

Me një gjë të tillë, është pajtuar edhe i akuzuari Deshishku.

“Të përcaktohet shuma që thuhet se është shmangur nga tatimi, ngase kemi diferenca të mëdha në shumën e shënuar në kallëzim penal dhe një gjë të tillë edhe sot nuk mund të përcaktohet nga prokuroria, ndërsa pas përcaktimit të shumës do të deklarohem edhe një herë për fajësinë”, ka deklaruar i akuzuari Deshishku.

Me këto propozime, është pajtuar edhe përfaqësuesi i ATK-së, Shpend Pllana, që përfaqëson palën e dëmtuar në këtë rast penal.

Gjykatësi i çështjes Minir Hoti, ka aprovuar kërkesën e prokurorit Krasniqi, duke njoftuar se seanca e radhës do të caktohet me 15 nëntor 2019, në ora 10:00.

Për këtë rast penal, janë mbajtur disa seanca me gjykatësen Elheme Jashari, por pasi që ajo është avancuar në Departamentin për të Mitur, lënda i është ndarë gjykatësit Hoti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2016, Agim Deshishku akuzohet se gjatë periudhës kohore 2010-2012, në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit afarist sh.p.k “FAN”, në Podujevë, veprimtaria e të cilës është prodhimi dhe përpunimi i armaturës me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, për vete apo personin tjetër, nuk ka deklaruar në ATK qarkullimin që ka pasur në kuadër të aktivitetit të tij afarist, ku i është shmangur tatimit në vlerë prej 70,416.75 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi”, nga neni 236 par.1 nën par.1.3 të KPK-së.

Ndryshe, Agim Deshishku ka qenë i akuzuar edhe në rastin tjetër rreth privatizimit të fabrikës “FAN”, e ku të bashkakuzuar kanë qenë edhe disa të tjerë, në mesin e tyre edhe ish-deputeti Naser Osmani.

Në katë rast, Deshishku ishte shpallur i pafajshëm për legalizim të përmbajtës së rreme në vazhdimësi, kurse ishte dënuar me një vit burgim për veprën penale të mashtrimit në vazhdimësi, ndërkaq për shmangie nga tatimi, ai ishte dënuar me një vit burg dhe 10 mijë euro gjobë. Ndaj tij, më pas ishte shqiptuar dënim unik prej një viti e tetë muaj burgim. Gjithashtu, ai ishte obliguar që dëmin prej 53,807.46 euro t’ia kompensojë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), si dhe të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në vlerë 300 euro. /BetimipërDrejtësi