PROKURORJA NUK E ARSYETON MUNGESËN, SHTYHET SEANCA

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Mungesa e prokurores Dulina Hamiti bëri që seanca e paraparë të mbahet të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Sadik Rashitit, i akuzuar për veprën penale “ushtrim i ndikimit”, të shtyhet.

Kryetari i trupit gjykues Arben Hoti tha se prokurorja nuk e ka arsyetuar mungesën e saj. ”Edhe pse ka qenë e informuar për këtë seancë, prokurorja Hamiti nuk e ka arsyetuar mungesën. Këtë mungesë do ta lajmëroj tek kryetari i Prokurorisë Themelorë në Prishtinë”, tha gjyqtari Hoti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sadik Rashitit për ushtrim të ndikimit në vendimmarrjen e personave zyrtar. Sipas aktakuzës, i njëjti kishte pranuar shumën prej 6000 euro nga Afrim Piraj, për regjistrim të vajzës së tij, Skofiare Pirajt në Fakultetin e Mjekësisë, Dega Farmaci në vitin akademik 2010/11. I pandehuri akuzohet poashtu se ka marrë 5000 euro edhe nga Riad Rexhepi për ta regjistruar në Degën e Stomatologjisë në të njëjtin Fakultet. Përveç këtyre, aktakuza e ngarkon Rashitin se ka marrë edhe shumën prej 2500 eurove nga Skofiare Piraj dhe Lavdije Ajvazi, për kryerjen e  disa provimeve në mënyrë që të njëjtat ta arrijnë kushtin për vitin e dytë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 3 tetor 2016, në ora 10.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë