Prokurorja në seminar, shtyhet seanca për korrupsion ndaj Menaxherit të Prokurimit të QKUK-së

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Ka dështuar mbajtja e seancës ndaj menaxherit të prokurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Gazmend Rushiti. Prokurorja e cila përfaqëson akuzën Dulina Hamiti, kishte njoftuar më herët kryetarin e trupit gjykues, Shashivar Hotin, se e njëjta nuk mund të paraqitet në gjykatë për shkak se ajo gjendet në një seminar.

Prokurorja Dulina Hamiti nuk ishte paraqitur as më 11 korrik të këtij viti, kur kishte qenë e paraparë që të mbahej kjo seancë. Të njëjtën ditë kishte munguar edhe anëtari i trupit gjykues, Nexhmedin Sejdiu, dhe për pasojë kjo seancë ishte shtyrë për ditën e sotme.

I pandehuri Gazmend Rushiti, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 21 korrik 2014, duke shfrytëzuar pozitën e menaxherit të prokurimit në QKUK, ka nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik N.T “Agimi-De”, i cili operator kishte ofruar çmime jo normalisht të ulëta. Sipas  aktakuzës  çmimi i ulët kishte  ndikuar që kjo kompani  të shpallet fitues i kontratës  për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me material për shtyp” me çmim prej  9 mijë e 708 euro. I njëjti sipas prokurorisë nuk ka respektuar Ligjin e Prokurimit Publik, i cili e obligon Autoritetin Kontraktues të dorëzoj shpjegim dhe zbërthim detal të elementeve të tenderit. Me këtë rast, prokuroria pretendon se Rushiti ka kryer veprën penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë