Prokurorja në seminar, dështon gjykimi për lëndim të rëndë trupor

Nora Kelmendi- Rasti Bedri Saraqi- Raporti për Web- 16 prill 2019
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Prill 16, 2019

Mitrovicë – Mungesa e prokurores Zejnije Kela, ka bërë që të dështojë seanca e shqyrtimit fillestar, e paraparë të mbahet të martën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër Bedri Saraqit, nën akuzën për lëndim të rëndë trupor.

Në seancën e së martës, prezent ishte i akuzuari Saraqi dhe mbrojtësi i tij, avokati Berat Peci, të cilët nga ana e gjykatësit Radosllav Markoviq, janë njoftuar se prokurorja Zejnije Kela, ka njoftuar Gjykatën se është në seminar në Shqipëri dhe se nuk do të ketë mundësi të jetë e pranishme në këtë seancë.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e së martës është shtyrë dhe e njëjta është caktuar të mbahet më 17 maj 2019, ku sipas gjykatësit Markoviq me ftesë të rregullt do të ftohet prokurorja Kela, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 29 dhjetor 2017, Bedri Saraqi, po akuzohet se më 1 tetor 2017, në fshatin Bivolak të Vushtrrisë, në pronën kufizuese në mes të pandehurit dhe të dëmtuarit Adnan Saraqi, i pandehuri Bedri me mjet të rrezikshëm dhe të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor,  i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor të dëmtuarit Adnan, e që ka rezultuar me dëmtim të përkohshëm të një pjese vitale të trupit.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, veprën penale e ka kryer në atë mënyrë që posa janë takuar me të dëmtuarin në kufirin në mes të pronave, pas një mosmarrëveshjeje mes tyre për shkak të rrjedhës së ujërave të zeza në arën e të pandehurit ku i dëmtuari Adnan kishte me vete një tërfurk me të cilin kryente punët në fushë, pas fjalosjes, i pandehuri e godet në fytyrë të dëmtuarin Adnan e që edhe ky i fundit e grushton me ç’rast i akuzuari nga dora i merr tërfurkun dhe e godet me bisht të tij në dorën e djathë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këtë, Bedri Saraqi, po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “lëndim i rëndë trupor” nga neni 189 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi