Prokurorja në seancë tjetër, për të tretën herë shtyhet gjykimi ndaj policëve se keqtrajtuan të dëmtuarin në stacion policor

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë – Për shkak se prokurorja Arbresha Shala ishte e angazhuar në një seancë tjetër, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku Arsim Shabani dhe Mirsad Përçuku po akuzohen se në cilësinë e policëve, më 2015, keqtrajtuan të dëmtuarin Nusret Azemi.

Për mungesën e prokurores Shala, gjykatësi i rastit Adnan Kamberi deklaroi se e njëjta e ka njoftuar gjykatën përmes email-it se është prokurore kujdestare si dhe nga ora 13:00 ka një seancë tjetër me paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mungon prokurorja e shtetit e cila e ka njoftuar gjykatën përmes e-mailit të datës 28 tetor 2021 se është prokurore kujdestare nga data 27 tetor 2021, pra edhe nesër më datë 29 tetor 2021, si dhe në ora 13:00 kam seancë të gjyqtarja Sulltane Hoti, i pandehuri do te sjellet në seancë nga paraburgimi” tha gjykatësi Kamberi.

Tutje, gjykatësi Kamberi deklaroi se në këtë e-mail thuhet se prokurorja iu ka lutur gjykatës të bëhet dakordimi paraprak, për shkak se lënda është voluminoze dhe nuk mund të bëhet zëvendësimi nga ana e prokurorëve tjerë.

Sipas gjykatësit Kamberi, prokurorja Shala edhe para fillimit të seancës përmes telefonit ka njoftuar gjykatën se e njëjta ka një seance tjetër.

Më pas, ai ka njoftuar palët se lënda është afër parashkrimit absolut dhe i ka pyetur ata nëse dëshirojnë që kjo lëndë të referohet në ndërmjetësim, gjë për të cilën palët nuk u pajtuan.

“Jo, në këtë fazë jo, sepse jemi të interesuar që të zbardhet e vërteta”, tha mbrojtësi i të akuzuarit Përçuku, avokati Isa Salihi.

Po ashtu, në këtë seancë ka munguar edhe përfaqësuesi i të dëmtuarit Nusret Azemi, avokati Engjëll Vërtopi, i cili përmes një parashtrese ka njoftuar gjykatën që kjo seancë të mbahet edhe pa prezencën e tij.

Ndërsa, të pranishëm ishin të akuzuarit Shabani dhe Përçuku me mbrojtësit e tyre, avokatët Isa Salihi dhe Muhamet Mujaj dhe i dëmtuari Nusret Azemi.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta është shtyrë, kurse e radhës u caktua më 8 nëntor të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 janar 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Arsim Shabanit dhe Mirsad Përçukut, të cilët i ngarkon me veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Shabani dhe Përçuku më 17 nëntor 2015, në cilësinë e personave zyrtarë të Policisë së Kosovës, derisa kanë qenë duke e shoqëruar në Stacionin Policor Qendra tani të dëmtuarin Nusret Azemi, por edhe pasi kanë hyrë brenda në stacion kanë keqpërdorur detyrat dhe autorizimet e tyre, duke e keqtrajtuar të dëmtuarin në atë mënyrë që e kanë goditur në kokë dhe trup. Nga goditjet thuhet se i dëmtuari Azemi ka pësuar lëndime dhe i janë shkaktuar dhimbje fizike dhe psikike.

Me këtë, secili veç e veç akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 198, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në tre vite. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë