Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për blerjen e telefonit që pretendohet se është vjedhur nga i akuzuari tjetër

peje
Author

Raporton: Rita MAZRKAJ

Nëntor 8, 2018

Pejë – Është shtyrë shqyrtimi kryesor në rastin ku Albijan Kadrijaj po akuzohet për dy vepra penale të vjedhjes, kurse Liridon Krasniqi po akuzohet për blerje të një telefoni që pretendohet se është vjedhur nga i akuzuari i parë.

Në seancën e cila ishte paraparë të mbahej të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, ka munguar prokurorja Sahide Gashi, e cila e ka informuar gjykatën se gjendet në Budvë për një trajnim zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kështu, gjykatësja Florije Zatriqi e caktoi seancën e radhës për 10  dhjetor 2018, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me 7 shkurt 2018, Prokuroria Themelore në Pejë pretendon se i pandehuri Albijan Kadrijaj, me 12 nëntor 2015, në Pejë, e ka thyer shtëpinë e të dëmtuarit Ismet Sejda, nga ku ka marrë një TV të markës “Grundig”, dy kabllo vazhduese elektrike 20 dhe 30 metra, një bormashinë “Boch”, një fotoaparat të markës “Canon” dhe një kositëse të barit të markës “Gardol–Geë 46”, dhe më pas është larguar pa e hetuar askush.

Për këto veprime, prokuroria e ngarkon të pandehurin Kadrijaj me veprën penale “vjedhje e  rëndë”, nga neni 327, paragrafi 1, pika 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I pandehuri Kadrijaj po ashtu ngarkohet nga prokuroria edhe me një vepër penale të vjedhjes, pasi sipas aktakuzës, me 27 nëntor 2015, në Pejë, me forcë i futet në shtëpi të dëmtuarit Rasim Selimaj, nga ku i merr tre telefona celular të markave “Haëai”, “Nokia” dhe “Samsung”, dhe më pas largohet pa e vërejtur askush.

Ndërsa, sipas po të njëjtës aktakuzë, pretendohet se i pandehuri i dytë, Liridon Krasniqi, me 28 shtator 2015, në Pejë, e ka blerë telefonin e markës “Haëai” (i cili pretendohet se është vjedhur në shtëpinë e të dëmtuarit Rasim Selimaj, nga i akuzuari Albijan Kadrijaj), për të cilin në aktin akuzues thuhet se ka mundur ta dijë se është përfituar me kryerjen e veprës penale, dhe nga i pandehuri  Kadrijaj.

Andaj, prokuroria pretendon se Liridon Krasniqi e ka kryer veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 345, paragrafi 2, të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi