Prokurorja mungon për arsye shëndetësore, dështon gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve të Drenasit

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë- Për shkak se prokurorja Merrushe Llugiqi mungoi për aryse shëndetësore, ka dështuar të enjten të mbahet gjykimi ndaj zyrtarëve të Komunës së Drenasit, Xhafer Ramaj dhe Shefqet Morina,  të cilët po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lidhur me mungesën e prokurores Llugiqi, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni deklaroi se është informuar se e njëjta nuk mund të paraqitet në këtë seancë, pasi që nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe gjendet në pushim mjekësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në seancën e sotme ishin prezent të akuzuarit Ramaj dhe Morina, mbrojtësit e tyre, avokatët Ramë Dreshaj dhe Ilir Ramaj, si dhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Altina Mulaj.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e gjykimit, seanca e radhës është caktuar për 22 nëntor 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 gusht 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Xhafer Ramaj, nga pozita shef i sektorit të gjeodezisë dhe Shefshet Morina nga pozita e shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre.

Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që në periudhën kohore prej vitit 2010 e deri në vitin 2018, në vazhdimësi, me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë apo livadh në tokë ndërtimore, nuk kanë respektuar asnjë procedurë ligjore, por kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 02/L-26 për tokat bujqësore, si dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.41/2006 për ndërrimin e destinimit të tokave bujqësore.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave, edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, varësisht nga kategoria apo klasi i tokës, të akuzuarit në kundërshtim me ligjet e lartcekura dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore në 16 zona kadastrale, në Komunë të Drenasit.

Sipas prokurorisë, ky ndërrim i destinimit ishte bërë në zonat kadastrale (ZK) si në vijim: ZK. Zabel i Ulët, ZK. Sankoc, ZK. Korroticë e Epërme, ZK. Tërdec, ZK. Polluzhë, ZK. Tërstenik, ZK. Llapushnik, ZK. Gllobar, ZK. Shtrubullovë, ZK. Negroc, ZK. Nekoc, ZK. Komoran, ZK. Drenas, ZK. Arllat, ZK. Qikatovë e Vjetër dhe ZK. Qikatovë, në sipërfaqe të përgjithshme prej 25.55.51 hektarë.

Sipas prokurorisë, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është bërë kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231 mijë e 689 euro. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë