Pejë – Prokurorja e shtetit, Sahide Gashi, ka kërkuar që të shtyhet seanca e së mërkurës, në rastin kundër të akuzuarve Arif Demhasaj, Avni Sinanaj dhe Ismi Ibërhysaj. Kërkesa e saj erdhi si pasojë e propozimit të mbrojtjes së të akuzuarve, për administrimin e provave shtesë.
Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, avokatët mbrojtës Gëzim Kollçaku dhe Gëzim Baloku propozuan prova shtesë, për administrim gjatë procedurës së provave. Lidhur me këtë propozim, prokuroria e rastit tha se nuk mund të deklarohet në këtë seancë pasi që i nevojitet kohë për t’u konsultuar me shkresat e lëndës dhe përmbajtjen e këtyre provave, për të cilën arsye kërkoi edhe shtyerjen e seancës.
Pas kësaj kërkesë, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Lumturije Muhaxheri, mori aktvendim që seanca e rradhës të caktohet për datën 19 maj 2016, në të cilën të akuzuarit do të japin mbrojtjen e tyre.
Ky shqyrtim gjyqësor po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, ku sipas pretendimit të saj i akuzuari Arif Demhasaj, si person zyrtar-Pylltar në Agjensionin Pyjor të Kosovës, gjatë periudhës kohore 2011-2012, me qëllim të përfitimit të kundëligjshëm për tjetrin nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke u lejuar operatorëve ekonomik prerjen ilegale të pyjeve, me çka i ka shkaktuar dëme të konsiderueshmeAgjensionit Pyjor të Kosovës në shumën mbi 8.000,00 euro. I akuzuari Avni Sinanaj, si person përgjegjës i operatorit ekonomik,gjatë periudhës kohore 2011-2012, me qëllim të përfitimit të kundëligjshëm të dobisë pasurore për biznesin e tij, ashtu që me rastin e realizimin e punëve në pastrimin e pyllit, ka prerë ilegalisht drunjë, duke e dëmtuar Agjensionin Pyjor të Kosovës për shumën 1.815,00 euro. Ndërkaq, i akuzuari Ismi Ibërhysaj, si person përgjegjës i operatorit ekonomik, gjatë periudhës kohore 2011-2012, me qëllim të përfitimit të kundëligjshëm të dobisë pasurore për biznesin e tij, ashtu që me rastin e realizimin e punëve në pastrimin e pyllit, ka prerë ilegalisht drunjë, duke e dëmtuar Agjensionin Pyjor të Kosovës për shumën 825,00 euro.