Prokurorja heq dorë nga ndjekja penale, shpallet aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për vjedhje të pyllit

119506363_478032136511570_1575073357045726913_n
Author

Raporton: Egzon HALILI

Shtator 15, 2020

Vushtrri – Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri të martën ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për vjedhje të pyllit, Adem Mehmeti.

Një aktgjykim i tillë është shpallur nga gjykatësi Agron Maxhuni, pasi Prokuroria Themelore në Mitrovicë është tërhequr nga ndjekja penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tërheqjen nga ndjekja penale, prokurorja Stojanka Kasaloviq ne seancën e shqyrtimit gjyqësor e ka arsyetuar se pas dëgjimit të dëshmitarit, rojës së pyllit Milazim Bunjaku, nuk është vërtetuar se i akuzuari Mehmeti në ditën kritike ka qenë duke prerë dru në mal.

Ndryshe, me rastin e shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi Maxhuni ka bërë të ditur se palët e pakënaqura ndaj vendimit kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor prej 15 ditëve.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 15 nëntor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Adem Mehmetit për veprën penale “vjedhja e pyllit” nga neni 358 par. 2 në lidhje me par. 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 8 nëntor 2018, në pyllin shoqëror të Komunës së Vushtrrisë, fshati Sllakovc, në vendin e quajtur Bregu i Ulët, ka rrëzuar për shkak të vjedhjes 68 trungje ahu me diametër 15-18cm, e me gjatësi 12 metra, sasia prej 8.84 metra kub, ku dhe ka shkaktuar dëmin prej 1.352,52 euro.