Prokurorja e zënë në një rast tjetër, dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për kontrabandimin e dy personave në vendet e BE-së
Raporton: Driton NOCAJ dhe Arlinda MUQA
Pejë- Në gjykatoren e Gjykatës së Pejës nuk ka arritur të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj të pandehurit Fehmi Hakaj, ndaj të cilit rëndojnë akuzat se në vitin 2012 dhe 2014 për 2 mijë e 550 euro kishte kontrabanduar të dëmtuarin V.E dhe S.S jashtë shtetit të Kosovës.
Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shaqë Curri konstatoi se nuk kishte kushte për mbajtjen e gjykimit për shkak të mungesës së prokurores Valbona Disha-Haxhosaj, e cila kishte njoftuar Gjykatën se gjendej në një rast tjetër penal në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Në këtë seancë ishte i pranishëm i pandehuri dhe mbrojtësi i tij, avokati Gëzim Baloku.
Seanca e radhës u caktua më 21 shtator 2022, ora 09:30.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 10 nëntor 2014, e ngarkon të pandehurin Fahmi Haklaj se në periudhën kohore të muajit prill 2012 në Istog ka bërë organizimin e rekrutimit e viktimave për kontrabandim.
Bazuar në aktakuzë, i pandehuri , të dëmtuarin V.E në mënyrë ilegale e ka kontrabanduar që të njëjtin ta dërgojë nga Kosova për në Serbi e më pas në drejtim të Austrisë, Italisë, Zvicrës etj, duke ia marrë të dëmtuarit për këtë kontrabandim shumën prej 700 euro, ashtu që i pandehuri ka arrit që viktimën ta kontrabandojë jashtë shtetit të Kosovës.
-Me çka ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me emigrant”, nga neni 170 par.1 të KPRK-së.
I pandehuri poashtu akuzohet se në muajin mars 2014 në Istog në këmbim të shumën prej 1850 euro kishte kontrabanduar në drejtim të shtetit të Austrisë të dëmtuarin S.B.
-Me çka ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me emigrant”, nga neni 170 par.1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.