Prokurorja e zënë me kujdestari, dështon gjykimi për korrupsion ndaj katër personave
Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI
Prishtinë – Në mungesë të prokurores Dulina Hamiti, e cila është kujdestare dhe ka gjashtë raste në procedurë, dështuar të mbahet seanca e së premtes, në rastin ku zyrtarët e KUR “Prishtina” dhe drejtori i kompanisë “KWE”, po akuzohen për korrupsion.
Në këtë rast ish-ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv Selatin Retkoceri, ish-ushtruesi i detyrës së Zyrtarit Kryesorë Financiar në KUR “Prishtina”, Remzi Llumnica, menaxheri për mbikëqyrjen e realizimit të kontratës Sabri Maliqi dhe pronari i kompanisë “Kosova Water & Energy”, Fidan Pacolli po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me mungesën e prokurores Hamiti, kryetari i trupit gjykues Kushtrim Shyti ka thënë se e njëjta e ka njoftuar gjykatën se është prokurore kujdestare dhe se i ka gjashtë raste në procedurë dhe se e ka të pamundur të jetë e pranishëm në seancë, si dhe për shkak se lënda është në një fazë të avancuar e ka pas problem që ta gjejë një prokuror zëvendësueses.
Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës, gjykatësi Shyti gjykimin e ka shtyrë për 24 maj 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 1 nëntor 2019, Selatin Retkoceri, Fidan Pacolli, Sabri Maliqi dhe Remzi Llumnica akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Retkoceri akuzohet se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal (KRU) “Prishtina”, bashkë me të pandehurin Remzi Llumnica, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së zyrtarit kryesor financiar në këtë kompani, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Sipas aktakuzës, të njëjtit duke shfrytëzuar pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, me qëllim që kompanisë “Cahani” SHPK, t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror.
Tutje, aktakuza thekson se i pandehuri Selatin Retkoceri kishte angazhuar jashtë procedurave të parapara me ligj kompaninë “Cahani” SHPK, për bartjen e 250 paneleve të betonit të dhuruara gratis nga UNMIK-u, në çmimin prej 9 mijë e 999 euro.
Ndërsa, Remzi Llumnica thuhet se kishte pranuar dhe proceduar për pagesë faturën në vlerë prej 9 mijë e 997 euro e 55 centë, e cila pastaj është kundërshtuar nga menaxheri i Departamentit të Kontabilitetit Thesar në KRU “Prishtina”.
Me këto veprime, prokuroria pretendon se të akuzuarit e lartcekur i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarës Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Sabri Maliqi, në pozitën e menaxherit për mbikëqyrjen e realizimit të kontratës në KRU “Prishtina”, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij në atë mënyrë që gjatë implementimit të kontratës, të lidhur në mes të KRU “Prishtina” dhe operatorit ekonomik Kosova Ëater & Energji, prej 11 korrikut 2013 deri më 6 maj 2015 faturat në sasi të përgjithshme prej 1 mijë e 350 copë gjysmë-lidhëse të plastikës në vend që të paguhen sipas kontratës 0.60 centë për copë, janë paguar me çmim të gjysmë-lidhëse 3/4 të mesingut apo metalike me çmim 2.39 centë për copë, me ç‘rast i ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm operatorit ekonomik KËE rreth 2 mijë e 500 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KRU “Prishtina”.
I pandehuri Fidan Pacolli, në cilësinë e agjentit të shitjes dhe menaxher i depos në kompaninë KËE, gjatë implementimit të kontratës së lidhur në mes të kësaj kompanie dhe KRU “Prishtina”, prej 11 korrikut 2013 deri më 6 maj 2015, i ka dorëzuar faturat për pagesë në këtë kompani, në atë shumë, me ç’rast i është bërë pagesa nga KRU “Prishtina”, duke i sjellë kështu kompanisë KËE, përfitim të kundërligjshëm në shumë prej 2 mijë e 500 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KRU “Prishtina”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.