Prokurorja Dulina Hamiti në trajnim, nuk e njofton gjykatën, shtyhet seanca për korrupsion
Raporton: Valdet HAJDINI
Prishtinë – Seanca e paraparë të mbahej të premten, kundër mjekëve të Qendrën Klinike Universitare të Kosovës-QKUK, Kushtrim dhe Sabahate Gashi, është shtyrë për shkak të mungesës në seancë të prokurores së rastit Dulina Hamiti.
Gjyqtari Valon Kurtaj i telefonoi prokurores Hamiti, për ta pyetur pse nuk kishte ardhur në gjykatë, e njëjta u përgjigj se është në një trajnim dhe se nuk ka mundur të vijë në seancë.
Ndryshe, prokurorja Hamiti ka qenë e njoftuar për datën e mbajtës së seancës, por që mungesën e vet nuk e ka arsyetuar dhe as nuk e ka njoftuar gjyqtarin Kurtaj për mungesën e saj.
Ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se të mjekët e QKUK-së, Kushtrim Gashi dhe Sabahate Gashi, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke vjedhur barna nga lista esenciale. Sipas prokurorisë, gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës në shtëpinë e të akuzuarve janë gjetur pajisje mjekësore, në bazë të së cilës vërtetohet se të njëjtit pa autorizim kanë ushtruar veprimtari mjekësore. Prokuroria pretendon se këtë veprimtari të akuzuarit e kanë ushtruar në Ordinancën Specialistike “Kirurgjike Proktologjike”, duke bërë ndërhyrje tek pacientë të ndryshëm, si dhe duke i sjellë vetit përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë rreth 13,992 euro.
Ndërkaq, dispozitivi i dytë ngarkon të njëjtit me veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”. Të pandehurit akuzohen se prej vitit 2001 e deri më 20 maj 2015, kanë punuar në ordinancën e tyre specialistike pa autorizim ligjor dhe pa licencë nga Ministria e Shëndetësisë. Më pas të pandehurit pretendohet se kanë vjedhur produktet medicinale, me qëllim të shitjes për pacientët e trajtuar në ordinancën e tyre. Prokuroria pretendon se produkte medicinale me banderola të Ministrisë së Shëndetësisë, janë gjetur gjatë kontrollit në ordinancën në fjalë.