Prokurorja Drita Hajdari ka amnistuar vepra penale të korrupsionit

“Betimi për Drejtësi”

Debatet e shumta dhe sfidat që kanë përshkuar miratimin e Ligjit për Amnisti kanë krijuar probleme serioze për zbatim të drejtë të këtij ligji edhe për institucionet e drejtësisë në Kosovë. Instituti i Kosovës për Drejtësi, në raportin e fundit të publikuar “Korrupsioni në Kosovë: Raport vlerësues mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit”, në gjetjet e veçanta, ka zbuluar se prokurorët kanë amnistuar persona të akuzuar për vepra penale korruptive në kundërshtim me Ligjin për Amnisti.

Një vendim të tillë për amnisti të korrupsionit në kundërshtim me Ligjin për Amnisti, sipas këtij raporti, e ka marr prokurorja Drita Hajdari, e cila për tri vite kishte shërbyer si Koordinatore në krye të Task Forcës kundër Korrupsionit, prej vitit 2010 deri në fund të vitit 2013. Gjetjet e veçanta të IKD-së, tregojnë se Koordinatorja kundër Korrupsionit Drita Hajdari, ka amnistuar vepra penale korruptive në kundërshtim me Ligjin për Amnisti. Ky i fundit, në nenin 3, ka përcaktuar kushtet për dhënien e amnistisë. Sipas këtij neni, del se veprat penale të listuara më poshtë, nuk mund të amnistohen pa u kryer vepra penale e thirrjes në rezistencë.

Përkundër kësaj dispozite në Ligjin për Amnisti, ish-Koordinatorja kundër Korrupsionit, Drita Hajdari, ka pushuar hetimet kundër të pandehurit S.K. me arsyetimin se veprat penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 249 paragrafi 1 dhe paragrafi 2 të KPK-së dhe “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi” nga neni 236 paragrafi 1 të KPK-së, konform nenit 158 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 të KPPK-së janë përfshirë në amnisti dhe se i pandehuri K. i ka plotësuar kushtet që të përfitoj nga amnistia.

Erëlehta Popaj, jurist në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Ligji për Amnisti, qartë ja përcaktuar se cilat vepra mund të amnistohen dhe se cilat kushte duhet të plotësohen. “Amnistia e këtyre veprave penale është bërë në kundërshtim të plotë me Ligjin për Amnisti. Këto vepra kanë mundur të amnistohen, vetëm poqëse është kryer paraprakisht vepra penale e “Thirrjes në Rezistencë”, gjë që nuk ka ndodhur, prandaj, amnistia e këtyre veprave në mënyrë të kundërligjshme në këtë rast dhe raste tjera, duhet të hetohet nga mekanizmat e Këshillit Prokurorial të Kosovës”.

Pas publikimit të raportit të IKD-së, Zef Prendrecaj, Drejtor i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, thekson se këtë rast dhe rastet tjera të prezantuara në raport, tashmë janë duke u hetuar në fazën preliminare. Mund të ju konfirmoj se Zyra e Prokurorit Disiplinor posa ka pranuar raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi menjëherë ka filluar të ndërmerr veprimet e nevojshme për të gjetur nëse ka elemente të sjelljes jo të mirë, që kanë ndodhur lidhur me rastet përkatëse, të cilat janë përshkruar në këtë raport”. Prendrecaj, ka thënë se tash pr tash Zyra e Prokurorit Disiplinor nuk është në gjendje të tregoj nëse ka bazë të dyshimit të arsyeshëm për këto raste. “Posa të sigurohemi me informacionet e nevojshme ne do të ndërrmarim veprimet dhe do të shohim nëse ka elemente të sjelljes jo të mirë. Nëse prokurorët gjejmë se kanë bërë ndonjë shkelje apo sjellje jo të mirë, ne do t’i referojmë këto raste në Komisionin Disiplinor Prokurorial. Nëse nuk gjejmë se ka sjellje jo të mirë, atëherë këto raste do të mbyllen”. Ai ka thënë se këto raste janë voluminoze dhe se për 26 rastet e prezantuara, Prendrecaj ka kërkuar dosjet.

Në raportin e fundit të IKD-së, në pjesën e gjetjeve të veçanta, janë prezantuar raste të shkeljeve ligjore dhe rastet e parashkrimit të lëndëve nëpër prokurori.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë