Prokurorja dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar tërhiqen nga ndjekja penale, gjykata pret provën e noterizuar

Raporton: Blerta Barku

Prishtinë- Përfaqësuesi i palës së dëmtuar të Universitetit të Prishtinës, Safet Thaqi dhe prokurorja Fatmire Cacaj janë tërhequr nga ndjekja penale në shqyrtim gjyqësor ndaj të akuzuarit Isak Hoxha, i cili akuzohet për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, ndërsa gjykata pret provën e noterizuar që të ndërmerr aktvendim refuzues.

Para fillimit të fjalës hyrëse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Thaqi, deklaroi se tërhiqet nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit Hoxha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk kemi interes që ta ndjekim palën, pasi që posedojmë vendimin me nr. 1/876 të datës 23 tetor 2003, me të cilin vendim i është ndarë prona në fjalë, Isak Hoxhës, mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës”, deklaroi Thaqi.

I njëjti tha se provën nuk e posedon në këtë seancë, por njoftoi se do t’ia sjell gjykatës.

Pasi që i akuzuari, Isak Hoxha e posedonte vendimin nr. 1/876 të datës 23 tetor 2003, ia dorëzoi një kopje gjykatës dhe për këtë vendim, përfaqësuesi i palës së dëmtuar deklaroi se është i njëjti.

Po ashtu, përfaqësuesi Thaqi tha se do t’ia dorëzojë gjykatës të njëjtin vendim të noterizuar, në afat sa më të shkurtër.

Lidhur me këtë, prokurorja Cacaj deklaroi se aktakuza ndaj Hoxhës është ngritur, pasi që i ka siguruar provat e mjaftueshme nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, mirëpo vendimi i prezantuar sot nga përfaqësuesi i palës është provë e re për prokurorinë dhe dëgjimi i sotëm i përfaqësuesit në këtë shqyrtim gjyqësor.

Andaj, prokurorja në bazë të nenit 52 të Kodit të Procedurës Penale u tërhoq nga ndjekja penale dhe i propozoi gjykatës që të marrë aktgjykim refuzues.

Në këto rrethana, gjykata duke u mbështetur në dispozitat ligjore dhe pasi që përfaqësuesi i palës së dëmtuar Thaqi, do t’ia dorëzojë vendimin e noterizuar, e njëjta do të ndërmarr aktvendim refuzues.

Sipas aktakuzës së 2015-ës, Isak Hoxha po akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme prej muajit qershor të viti 1999 e në vazhdimësi deri me datë 27 shtator 2013, ka pushtuar pronën e paluajtshme, me kulturë e shtëpi banimi që gjendet në pronësi shoqërore respektivisht, në shfrytëzimin të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se i akuzuari pronën e uzurpuar respektivisht shtëpinë e ka renovuar dhe është vendosur me familjen për të banuar.

Me këto, Hoxha po akuzohet se ka kryer veprën penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. /BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë