Prokuroria thotë se ka prova ndaj të akuzuarit për grabitje, mbrojtja e kundërshton aktakuzën

20191009_094808
Author

Raporton: Medina KADRIU

Tetor 9, 2019

Prishtinë – Prokurorja Shemsije Asllani ka deklaruar se organi i akuzës ka prova ndaj të akuzuarit për grabitje, Ermal Gashi, ndërkaq mbrojtja e të akuzuarit e ka kundërshtuar akuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Prokurorja Asllani ka deklaruar se aktakuza është ngritur bazuar në provat e bashkëngjitura në shkresa të lëndës, të cilat i posedon gjykata, avokati mbrojtës i të akuzuarit dhe prokuroria.

“Duke u thirrur me vërtetimin dhe konfiskimin e gjësendeve të numrit të rastit 2017AD0424 të datës 06.02.2017, raporti mjekësor i të dëmtuarve nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë të datës 02 shkurt 2017, akt ekspertimi i mjekësisë ligjore të punuar nga profesor asistent doktor, Naim Haliti e datës 28 shkurt 2018, deklarata e të miturit I.G”, ka thënë ajo.

Ajo ka deklaruar se po ashtu janë bashkëngjitur edhe foto dokumentacionet të cilat gjenden në shkresa të lëndës, për të cilën është argumentuar mirë aktakuza me provat që i ka cekur më lartë.

“Përveç këtyre provave, është argumentuar edhe fjala e të dëmtuarve- dëshmitarëve që nuk janë prezent në gjykatore Arbër Shala dhe Milot Berisha, ku në ditën kritike kishin marr lëndime trupore nga i pandehuri për qëllimin e përfitimit material nga të dëmtuarit”, ka thënë ajo.

Andaj, prokurorja Asllani tha se i propozon gjykatës që ashtu si e përcakton ligji tu jepet mundësia që të dëgjohen të dëmtuarit që kanë edhe cilësinë e dëshmitarëve, se si në ditën kritike nga i pandehuri Gashi janë sulmuar si e përshkruan edhe vet dispozitivi i aktakuzës.

“Me të gjitha këto, do të vërtetohet gjendja faktike”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i të akuzuarit Gashi, Naser Sopjani ka deklaruar se gjatë këtij procesi gjyqësor do të konstatohet se nga ana e Ermal Gashit nuk është kryer vepra penale me të cilën ngarkohet.

Sipas tij, do të konstatohet se në këtë rast nuk është vërtetuar nga ana e hetuesisë dhe prokurorisë e vërteta e kësaj ngjarje.

“Së pari, mënyra e kryerjes së veprës penale me të cilën kanë pasur lëndime të lehta trupore tre persona e ne kemi vetëm dy raporte mjekësore të mjekësisë ligjore, mënyra e deklarimit të pjesëmarrësve në këtë incident vërtetojnë se nuk kemi të bëjmë me veprën penale si në aktakuzë.  Edhe vet deklaratat kontradiktore të të dëmtuarve dëshmitarë flasin se nuk është e vërtetë ajo që është deklaruar që nga fillim”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se në këtë rast mund të flitet vetëm për ekzistimin e veprës penale të lëndimit të lehtë trupor, si pasojë e një rrahje që ka ndodhur mes pesë personave.

“E për personin e pestë nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga ana e policisë apo prokurorisë për ta gjetur se kush është personi i tretë që ka qenë së bashku me të dëmtuarit – tanimë dëshmitarët”, ka thënë ai.

Sipas tij, këto rrethana kanë qenë lehtë të verifikueshme po të bëhej vetëm një hap në ditën kritike dhe do të kuptohej se kush ka qenë personi i tretë së bashku me Arbër Shala e Milot Berisha.

“Që tani ata supozojnë se Ermal Gashi dhe një person i mitur për nga trupi edhe më i vogël se Ermali ja paskan zënë pritën e paskan tentuar të grabisin tre persona në moshë dhe trup më të madh se Ermali dhe i mituri”, ka deklaruar avokati Sopjani.

Ai ka thënë se do të vërtetohet në këtë proces gjyqësor që Ermal Gashi nuk e ka kryer veprën penale si në aktakuzë.

Ndërkaq, i akuzuari ka deklaruar se e përkrah fjalën hyrëse të avokatit të tij.

Për shkak të mungesës të dëmtuarve që kanë cilësinë e dëshmitarëve është pamundësuar vazhdimi i kësaj seance.

“Dëshmitarët nuk prezantojnë, të njëjtit janë ftuar me urdhëresë për shoqërim apo verifikim, nga stacioni policor jemi njoftuar se janë verifikuar dhe kanë thënë të vijnë”, ka deklaruar kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica

Sipas saj, të njëjtit kanë njoftuar se janë siguruar, por nuk mund të marrin pjesë në gjykatore.

“Nuk mund të marrin pjesë sepse nuk janë në dijeni për kohën e mbajtjes, sikurse në seancën e ardhshme do të jenë të pranishëm përmes Stacionit Policor në Klinë”, ka thënë ajo.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, më 6 shkurt 2017, i pandehuri Ermal Gashi, së bashku me të miturit I.G, me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, në lagjen “Ulpiana” përkatësisht te parku afër rrethit, derisa të dëmtuarit Arbër Shala dhe Milot Berisha, kanë qenë duke qëndruar, i pandehuri Ermal Gashi së bashku me të miturin I.G, iu afrohen të dëmtuarve dhe fillimisht godasin me kraharor të dëmtuarit dhe nën kërcënimin e thikës dhe shufrës së drurit iu drejtohen me fjalët “krejt çka keni në xhepa nxjerrni”.

Tutje, thuhet se të dëmtuarit fillojnë të ikin nga aty ku i pandehuri Gashi së bashku me të miturin I.G arrijnë ta godasin në kokë të dëmtuarin Milot Berisha me një mjet të fortë shufër të drurit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, më pas të dëmtuarit arrijnë të largohen, duke ikur nga i pandehuri Gashi në drejtim të mensës së studentëve në lagjen “Bregu i Diellit”, ku edhe hyjnë brenda dhe lajmërojnë policinë dhe të njëjtit arrestohen në vendin e ngjarjes. /BetimipërDrejtësi