Prokuroria thotë se ka prova ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Ferizaj, mbrojtja thirret në pafajësinë e tij

IMG_0557
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Nëntor 7, 2019

 


Ferizaj – Prokuroria Themelore në Ferizaj pretendon se ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë, Muhamet Halili, ka keqpërdorur detyrën dhe ka cenuar të drejtat e punësimit, me rastin e kontraktimit të dy mësimdhënësve pa u shpallur konkurs.

Këto pretendime, i ka paraqitur prokurori Rasim Maloku, në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku është dhënë fjala hyrëse e palëve në procedurë, në rastin ku Halili akuzohet për dy vepra penale, atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë në vazhdim.

Ai po akuzohet se gjatë vitit 2016, në dy raste kishte kontraktuar dy mësimdhënës për të ligjëruar lëndë ekonomike në Shkollën e Mesme Ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj, pa shpallur fare konkurs, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku, në fjalën hyrëse tha se pas administrimit të provave materiale dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve, do të vërtetohet gjendja faktike.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Halili, avokati Fitim Shabani, deklaroi se për veprat për të cilat Halili është ngarkuar nga prokuroria, mungon elementi thelbësor, ai i përfitimit, dhe se veprimet e të mbrojturit të tij, siç tha ai, kishin qenë në interes të nxënësve dhe në interes të përgjithshëm.

“Duke qenë se nuk është përcaktuar ndonjë formë tjetër se si mund të veprohet në rastet kur mësimdhënësit shkojnë në pushime mjekësore, apo e ndërprenë marrëdhënien e punës pa paralajmërim, në mënyrë që nxënësve t’u sigurohet arsimim i vazhdueshëm, Drejtoritë e Arsimit janë të detyruara që të emërojnë kandidatë nga listat e kandidatëve aplikues që i plotësojnë kriteret, deri në momentin e shpalljes së konkursit. Rrjedhimisht, një praktikë e tillë është zbatuar gjithmonë dhe vazhdon edhe sot e tutje që të zbatohet, e që po ashtu edhe vet praktika gjyqësore deri më tani rezulton se për raste të tilla të iniciuara, të gjitha kanë përfunduar me aktgjykime liruese apo refuzuese, andaj edhe në këtë çështje penale konsiderojmë se mbi bazën e këtyre pretendimeve do të vije deri tek një vendim i tillë”, tha Shabani.

Seancat e radhës janë caktuar më 27 nëntor dhe 12 dhjetor 2019, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 dhjetor 2018, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Muhamet Halili, akuzohet se si person zyrtar – Drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, kishte keqpërdorur detyrën zyrtare, ku pa publikuar konkurs pune, më 6 janar 2018, kishte lidhur kontratë të punës me Lumturije Rexhepi-Gashi, si mësimdhënëse e lëndëve ekonomike në Shkollën e Mesme Ekonomike “Faik Grainca” në Ferizaj, si dhe për pozitë dhe në vend të njëjtë, më 18 prill 2016, kishte lidhur kontratë për kohë të caktuar me Shpëtim Sojevën.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdim”, nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të lidhjes së kontratave të punës me Lumturije Rexhepi-Gashi dhe Shpëtim Sojeva, kishte kufizuar dhe kishte vënë në pozitë të pabarabartë pjesëmarrësve të tjerë për të realizuar të drejtën e punësimit në kushte të njëjta.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë në vazhdim”, nga neni 222, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi