Prokuroria thotë se do të vërtetohet fajësia e ish-ministrit Nenad Rikalo dhe të tjerëve, mbrojtja thotë se do të vërtetohet pafajësia e tyre

178436979_117719826997722_2794750322545066345_n-620x275
Author

Raporton: Medina KADRIU

Prill 27, 2021

Prishtinë – Të martën, gjatë dhënies së fjalës hyrëse, prokurorja Habibe Salihi, ka pretenduar se do të vërtetohet fajësia e ish-ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarëve tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, 

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve, kanë pretenduar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturve të tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Habibe Salihi, ka thënë se  ky rast penal është i emëruar dhe njohur si rasti “Grantet” për shkak se veprat penale ndërlidhen kryesisht me grantet të cilat janë dhënë në mënyrë të kundërligjshme.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor këtij trupi gjykues do t’i prezentoj provat nga të cilat do të vërtetohet se me të vërtetë kemi të bëjmë me grantet që janë dhënë në mënyrë të kundërligjshme. Andaj, besoj se kjo do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor, trupit gjykues do t’i prezentoj prova, të cilat do ta vërtetojnë dhe atë do t’ia prezentoj dëshmitaren Shqipe Dema nga e cila do të deklarohet se kjo dëshmitare a ka pranuar të marr përsipër programin e veçantë, nëse po, cili ishte roli i saj, nëse jo, pse nuk e ka pranuar ta marr përsipër programin e veçantë. Nga kjo dëshmitare do të njoftohemi se a ka pasur buxhet të ndarë për program të veçantë. Po ashtu, kjo dëshmitare do të dëshmoj edhe lidhur me atë se kush janë strukturat relevante që është dashur të përgatisin programet dhe politikat apo a është kjo kompetencë e grupit punues”, ka thënë ajo.

Sipas prokurores, dëshmitarja Shqipe Demaj, do të dëshmoi edhe lidhur me takimet që ka mbajtur grupi punues se a është diskutuar fare për bazën ligjore për këtë program.

“Do të dëshmojë lidhur me programin se a ju ka ardh i gatshëm ky program i veçantë apo a e kanë punuar si grup punues, a kanë miratuar ndonjë draft si grup punues dhe dërguar në miratim. Po ashtu, dëshmitarja do të dëshmoj lidhur me shumën maksimale për një program të caktuar. Do të prezantoj edhe dëshmitarin Danica Lavan, nga e cila presim të dëshmojë se cili ka qenë roli i saj në program të veçantë, se a e din e njëjta kush e ka përgatitur, kush ka qenë kompetent për ta përgatitur këtë program.  Nga Danica presim të dëshmojë se a ka pasur ndonjë rol i akuzuari Rikalo dhe nëse po kush ishte roli i tij”, ka thënë ajo.

Tutje, bëri të ditur se do të prezantoi edhe dëshmitarët Fllanzë Bala Kurtishaj, Bekim Hoxha, Tahir Ahmeti, Sebahate Haradinaj, Isuf Cakiqi dhe Hysni Thaqi, si dhe prova të tjera materialeve.

Fjalën e prokurores e ka mbështetur avokati shtetëror, Bedri Krasniqi dhe ka bërë të ditur se paraqesin kërkesë pasurore juridike ngase me veprimet e të akuzuarve konsiderohet se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në shumë prej 4 milionë euro.

Në anën tjetër, avokati i Nenad Rikalos,Miodrag Brkljaq ka thënë se prokurorja nuk ka ofruar prova të qarta, të forta dhe bindëse, të cilët mund të tregojnë ekzistimin e kësaj vepre penale.

“Në vazhdim prokurorja numron disa veprime konkrete, thotë ka punuar programin e veçantë, ndërsa ka qenë siguruar mjetet në buxhet, ka vendosur për kriteriumet, të cilat do të aplikohet kur të ndahen grantet, ka caktuar kriteriumet, ka caktuar regjionet të cilat do të jenë të përfshira me grante,  ka caktuar shumat e subvencioneve  dhe pra të gjithë atyre e ka anashkaluar procedurën e rregullt për përpilimin e programit të veçantë, gjë që thotë prokurori ka qenë me kompetencë të Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural që e ka udhëhequr Shqipe Dema. Këtë veçanërisht e theksoj, prokurorja pohon se punimi i këtij programi ka qenë kompetencë e departamentit të Shqipes, që absolutisht nuk është e vërtetë”, ka thënë ai.

Avokati i Rikalos e ka konsideruar të veçantë faktin se prokurorja i konsideron të akuzuarit bashkëkryes të veprave penale.

“Katër të parit janë një grup, ndërsa katër të dytit janë të grupit tjetër, bashkë ekzekutimi është shkallë e lartë e organizimit të numrit më të madh të njerëzve, por ajo ka elemente të caktuara të cilët duhet të ekzistojnë për të qenë bashkëkryes.  Nga kjo kolegia nuk e kam dëgjuar asnjë fjalë, e cila e mbështet këtë që këtu ekziston bashkëkryerje. Klienti im me këta njerëz është njohur 2 -3 muaj dhe jo më tepër, me disa është njoftuar edhe shumë më vonë, a mundeni të merrni me mend që të tubohet grupi prej katër njerëzve të cilat mes veti menxi njihen prej të cilëve njëri është serb dhe tre tjerë janë shqiptarë, që ata të bashkohen që të arrijnë marrëveshje që të merren vesh kush çka do të bëj, e gjithë kjo me qëllim që buxheti i shtetit të Kosovës të dëmtohet për 4 milionë euro”, ka thënë ai.

Sipas tij, në bazë të provave verbale dhe materiale të prokurorisë dhe me ndihmën e provave që do t’i dorëzojnë shumë shpejtë pa asnjë dyshim do të bindet gjykata se çdo gjë është e kundërt në raport me atë që ka thënë prokurori.

“Ministri ka qenë i autorizuar që të vendos për politikat, ministri ka qenë i autorizuar të sjell vendime dhe të bjerë program të veçantë. Nuk është e vërtetë që ky program ka qenë kompetencë e Departamentit të dëshmitares Shqipe Dema. Nuk është shkaktuar dëmi prej 4 milionë euro, ata të cilët kanë përfituar në tender nuk i kanë marr 4 milionë, por dyfish më pak. Nëse ekziston ndonjë dëm atëherë ajo është dyfish më e vogël, nuk mund të pohohet se janë 4 milionë. Kjo aktakuzë praktikisht bazohet në deklarimin e Shqipe Demës, e cila vetes i ka dhënë të drejtë që të vendos për këtë çfarë është ligjore dhe çfarë është jo ligjore, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e padrejtë dhe kjo nuk ka qenë puna  e saj.  Kjo aktakuzë nuk mundet juridikisht dhe faktikisht të qëndroj”, ka thënë ai.

Kurse, avokati Artan Qerkini që mbron të akuzuarin Kapllan Halimi, gjithashtu është deklaruar lidhur me pretendimet e prokurorisë.

“Prokuroria po e akuzon të mbrojturin tim se e ka keqpërdor detyrën zyrtare duke pretenduar se në mënyrë të kundërligjshëm ka nxjerr vendimin përmes të cilit është formuar një grup punues për përgatitjen e infrastrukturës për investime në zhvillime rurale dhe organi thotë se Kapllani e ka dit se grupi është vetëm formal sepse drafti më herët është dorëzuar nga Nenad Rikalo.  Prokuroria në aktakuzë po e akuzon zotin Halimi se vendimi është i kundërligjshëm ndërsa nëse e shikon aktakuzën fare nuk ceket se me çka konsiston kundërligjshmëria e atij vendimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, prokuroria në aktakuzë po e akuzon klientin e tij me funksion të Sekretarit të Përgjithshëm për cilësinë e grupit punues të themeluar pa cekur bazën ligjore e cila e ngarkon sekretarin me përgjegjësi për mënyrën e funksionimit të një grupi punues.

“Ligji dhe rregullorja nuk e ngarkon asnjë sekretar të ndonjë ministrie që të përgjigjet për cilësinë e një grupi punues. Nuk ka asnjë provë të vetme se Halimi tu ketë thënë anëtarëve të grupit punues jeni emëruar vetëm formalisht, mos e kryni punën që jeni tu e kry sepse jeni vetëm grup formal. Nuk ka asnjë provë të vetme për këtë. Do ta vërtetojmë faktin se nuk ka fare kundërligjshmëri, mirëpo edhe sikur të kishte prokuroria nuk e ka ofru asnjë provë të vetme që të pandehurit kanë pasur për qëllim që personi i tretë të fitoj dobi pasurore apo dobi tjetër, sepse kjo është element i veprës penale pa të cilin askush nuk mund të dënohet pa këtë element të veprës penale.  Nuk ekziston asnjë provë e vetme, qoftë email, përgjim, sms, dëshmitar që argumenton faktin se në mes të kompanive të cekura në aktakuzë dhe të pandehurve ka ekzistuar ndonjë komunikim që do të vinim në përfundim që të pandehurit kanë pas qëllim që kompanitë e treta të fitojnë”, ka thënë ai.

Kurse, mbrojtësi i Shefki Zeqirit, avokati Mentor Neziri ka deklaruar se prokuroria në raport me të mbrojturin e tij Zeqiri as nuk ka konstatuar një gjendje faktike të drejtë e po ashtu ka bërë një kualifikim jo të drejtë ligjor.

“Prokuroria kur i ka përshkruar veprimet inkriminuese të akuzuarit Shefki Zeqiri nuk ka pasur asnjë mbështetje as në dëshmitar, as në të akuzuarin, e aq më pak në provat materiale që gjendet në shkresat e lëndës, e për më tepër këto vërtetojnë tërësisht se i akuzuari Shefki pa të drejtë akuzohet për vepra penale që përshkruhen në aktakuzë.  Asnjëri prej dëshmitarëve që janë propozuar në aktakuzë nuk e përshkruan asnjë të vetëm veprim inkriminues për të akuzuarin Shefki dhe për më tepër dëshiroj të përmendi edhe dëshmitaren Shqipe Demaj e cila jo që vërteton se i akuzuari Shefki ka marrë çfarëdo veprimi inkriminues që i përshkruhet, por për më tepër në tërësi e vërteton se i akuzuari Shefki nuk ka kryer kurrfarë vepre penale”, ka thënë ai.

Kurse, Shefki Zeqiri ka shtuar se miratimi i udhëzimit është në kompetencë të ministrit.

Avokati Florent Latifaj, që mbron të akuzuarin Ekrem Gjoka, ka deklaruar se i mbrojturi i tij as në bashkëveprim e as bashkëkryerje e as vetëm nuk është kryes i asnjë vepre penale.

“Sa i përket veprimeve individuale të Ekrem Gjokës, ku i njëjti sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar si ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHV-së në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin me numër AZHV-0704/54/2018 për themelimin e një grupi punues duke anashkaluar faktin se ky ekip duhej të formohej prej drejtori,  të monitorohej prej drejtorit dhe të raportonte te drejtori i drejtorisë për miratimin e projekteve dhe zhvillimin rural e që në rastin konkret e kemi te dëshmitari Nehat Veliu”, ka thënë Latifaj.

Ai ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të bindin gjykatës se kjo ka qenë e drejtë dhe detyrë e Ekrem Gjokës.

Sipas tij,  një kërkesë për themelimin e këtij grupi ka ardhur mu nga ky person, Nehat Veliu, drejtuar drejtorit të administratës të përgjithshme dhe Kryeshefit Ekzekutiv.

“Për më tepër ashtu është vepruar edhe në të kaluarën, do të sjellim disa vendime të ish- Kryeshefave Ekzekutiv që kanë vepruar në mënyrën e njëjtë duke themeluar kësi komisione dhe në bazë të kërkesës së drejtorit të departamentit përkatës dhe asnjëherë krye në veti. Ekrem Gjoka vetëm e ka kryer detyrën e tij dhe vetëm pasi ju ka kërkuar nga ana e drejtorit. Shtrohet pyetja pse ai të kërkoj të themelohet komisioni nëse ka qenë kompetencë e tij”, ka thënë Latifaj.

Sipas Rrahman Kastratit, avokat i Shkëlzen Morinës, prokurorja as në fjalën hyrëse e a në aktakuzë nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme se në cilat veprime i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Për dispozitivin e parë të aktakuzës, në të cilën hyjnë grupi prej katër të akuzuarve, fjalët hyrëse të të cilëve i dhanë avokatët mbrojtës e i mbështes në tërësi, ndërsa dispozitivi dy në të cilën bën pjesë i mbrojturi im është një natyrë tjetër e personave të cilët bazuar në kundërshtimet e mbrojtësve të akuzuarve sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i mbrojturi im dhe të tjerët, kanë qenë gjithsesi të detyruar sipas autorizimeve të veta që kanë pas për të vepruar vetëm në vlerësimin e kushteve për të cilat i kanë plotësuar konserciziumet që kanë aplikuar për grante”, ka thënë atij.

Sipas tij, asnjë shkelje e vetme në vlerësimin e tyre nuk është bërë ashtu, siç nuk është thënë as nga ana e prokurorisë.

“Të vetmen fjalë që prokurorja e përmendi ishte se bizneset që kanë aplikuar nuk kanë qenë të regjistruara në ARBK, kjo e thënë nuk qëndron. I mbrojturi im dhe të tjerët si vlerësues që kanë qenë kanë vepruar konform udhëzimit administrativ plotësisht në harmoni me nenin 26 paragrafi 3 të tij, ku ndër të tjera thuhet se kur grupi që aplikon ose koncersiumi, njëri nga ta nëse e ka certifikatën e regjistrimit të biznesit konsiderohet se është gjithçka në rregull. Sikur i mbrojturi im dhe vlerësuesit tjerë kishin vepruar ndryshe atëherë do të bënin vepër penale, ndërsa me vlerësimin që e kanë bërë e kanë kryer punën e vet sipas ligjit dhe sipas udhëzimit administrativ të përmendur”, ka thënë Kastrati.

Sa i përket dëmit të përmendur, Kastrati tha se është e paqëndrueshme dhe se nuk është parë deri tani ndonjë provë që e vërteton një pretendim të tillë dhe se është i bindur se i mbrojturi i tij do të vërtetoj pafajësinë e tij.

Fehmije Gashi- Bytyqi, avokate e Leon Thaçit ka thënë se  sistemi i drejtësisë është duke u ballafaquar me një lëndë serioze sepse është dëmtuar arka e shtetit e buxheti i Kosovës, sipas pretendimeve të prokurorisë.

“Edhe gjykata e shkallës së parë, ka nxjerr një aktvendim ku ka refuzuar të gjitha kundërshtimet, edhe Gjykata e Apelit që e ka bërë një rutinë pa analizu madje një rutinë. Interesi i të gjithë palëve, është që trupi gjykues t’i pastrohet tereni për të marr një vendim të drejtë, edhe përkundër faktit që ligji nuk më lejon t’i bëj pyetje prokurores, por kjo aktakuzë ka shumë të meta, e të cilat është dashur t’i  evitojë gjykata, ta kthej, ta plotësoj. Sepse në provat e propozuara, derisa bëhet fjalë për 4 milionë që është dëmtuar buxheti i Kosovës, ka met në ajër çështja si do të tërheken nëse jo 4 milion së paku një pjesë e atyre mjeteve financiare”, ka thënë ajo.

Sipas saj, prokurorja e çështjes, para të gjithëve, përmendi se koncersiumet që kanë qenë përfituese si në dispozitiv të aktakuzës.

“ Thotë nuk kanë qenë të regjistruara në ARBK dhe në AUV, atëherë i nderuar trup gjykues, ato që nuk janë të regjistruara dhe sipas pretendimeve të prokurorisë me këta zotërinjtë këtu i kanë përvetësu 4 milion euro, atëherë lind pyetja a është zhvillu ndonjë hetim ndaj tyre? A bën këto koncersiume ndonjë falsifikim apo mashtrim apo do të duhej organi i hetuesisë t’i bekoj për këtë që kanë bërë. Kjo aktakuzë është e brishtë, është e pabazë është me të meta, në asnjë fazë të procedurës qysh e parasheh Kodi i Procedurës Penale, nuk është menduar në kuadër të Prokurorisë Speciale si institucion, a duhet të mendohet se në afate ligjore do të propozohet ndonjë konfiskim, a do të ketë sekuestrim, si do të rimbursohet buxheti i Kosovës?”, ka thënë ajo.

Këto vërejtje avokatja tha se i bën edhe si një qytetare e shqetësuar e Republikës së Kosovës.

Tutje, ajo ka  konsideruar që nuk ka prova të mjaftueshme për tu mbuluar problemi i madh që është në këtë çështje e që i ka ra barrë prokurorisë dhe  Leon Thaçi ka qenë punonjës me kontratë mbi vepër që ka vepruar konform udhëzimit administrativ dhe sipas saj natyrisht në ministri ekziston vija vertikale e menaxhimit.

Tutje, Alban Makolli, avokati i Lindar Krasniqit deklaroi se pa të drejtë ka kaluar kjo aktakuzë në fazën e shqyrtimit gjyqësor, kjo ngase sipas tij e njëjta nuk ka qenë përpiluar në pajtim me kërkesat ligjore të nenit 241, paragrafi 1, pika 1.4 të KPRK-së.

“Ngase nuk është përshkruar elementi qenësor i figurës ligjore të kësaj vepre penale dhe atë kundërligjshmëria e veprimeve të të mbrojturit të tij, e cila do të mund të konsistonte në tejkalim apo mospërmbushje të detyrave zyrtare, e që në rastin konkret, prokuroria është dashur të konkretizoj se cilat kanë qenë dispozitat juridike, të cilat nuk janë zbatuar nga e ana e të mbrojturit tim, të udhëzimit administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë”, ka thënë ai.

Avokati Makolli,  tha se paraprakisht për tu konstatuar drejt përgjegjësia eventuale e të mbrojturit të tij është dashur që prokuroria të konkretizoj se cilët kanë qenë aktet administrative, me të cilat është bërë shpallja e fituesve të granteve, si në dispozitivin dy të aktakuzës.

“Kjo pasi që prokuroria pretendon se i mbrojturi im së bashku me bashkë të pandehurit si në pikën 2 të dispozitvit të aktakuzës kanë bërë shpalljen e fituesve të granteve, por që kjo gjë nuk qëndron”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka dorëzuar provë me anë të së cilës ka konsideruar se do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk ka qenë kompetent e as nuk ka bërë shpalljen e fituesve të granteve e as nuk mund t’i vishet përgjegjësia penale për këtë.

Kushtrim Bytyqi , avokati i të akuzuarës Albana Zeqiri, ka thënë se edhe më tutje mbetet në tërësi si në të theksuarat në parashtresën për kundërshtimin e provave të dorëzuar në këtë gjykatë në fazën e mëhershme të procedurës.

“E mbrojtura ime akuzohet se në bashkëkryerje me tre persona të tjerë të theksuar në dispozitivin e dytë të aktakuzës ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme, por nuk theksohet se në kundërshtim me cilin ligj ka vepruar.  Më tutje, është theksuar se anëtarët e këtij ekipi punues kanë shpallur fitues koncersiumet që kanë aplikuar, mirëpo e mbrojtura ime së bashku me anëtarët e tjerë të grupit nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe as nuk e kanë pasur për detyrë, siç u theksua nga mbrojtësi paraprak”, ka thënë avokati Bytyqi.

Ai ka thënë se mbrojtja konsideron se me anë të provave të bashkangjitura në aktakuzë apo dokumenteve, nuk vërtetohet se e mbrojtura e tij ka kryer ndonjë veprim të kundërligjshëm dhe një gjë të tillë nuk e theksojnë as dëshmitarët e propozuar për dëgjim, në bazë të deklaratave të tyre të dhëna në fazën e hetimeve.

Pasdite, gjatë seancës të së martës, pritet të bëhet dëgjimi i dëshmitares, Shqipe Dema.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, akuzohen se në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që tu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “ Novus” SH.P.K, për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grandit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes grandeve), koncorziumit “ DOO Zubin Potok” për fitimin e grandit “ Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grandit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grandit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, me datë 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç ‘rast edhe programin ua dorëzon vet të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.

Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerr vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’ua mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale , duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.

Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëj kontroll administrative, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural, kështu i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’u mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vet ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.

Sipas akuzës, Të akuzuarit Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësoj përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanësh pallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grandit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grandit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grandit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”. /BetimipërDrejtësi