Prokuroria tërhiqet nga ndjekja penale, aktgjykimin refuzues ndaj të akuzuarit për vjedhje

Rasti Shyqeri Konxheli-7.10.2019
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Tetor 7, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për vjedhje, Shyqeri Konxheli.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që prokurorja e rastit, Merita Shala-Muhaxhiri pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, ka hequr dorë nga aktakuza me të cilën ngarkohet i akuzuari.

Prokurorja Shala, në fjalën e saj përfundimtare, ka thënë se pas dëgjimit të të dëmtuarit dhe të akuzuarit nuk është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë.

“Pas dëgjimit te dëmtuarit dhe të pandehurit konsideroj se nuk është vërtetuar gjendja faktike  e përshkruar në aktakuzë, kjo për arsye se nuk ka prova materiale as incizim  të kamerave e as  nuk janë siguruar dëshmitarët okularë të cilët e kanë parë të pandehurin në vendin e ngjarjes , prandaj në mungesë të provave heq dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit”, tha prokurorja.

Fjalën e prokurores e kanë mbështetur edhe pala e dëmtuar, Arben Aliu si dhe i akuzuari Konxheli.

Paraprakisht, në seancën e së hënës janë dëgjuar i dëmtuari Aliu si dhe i akuzuari Konxheli.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shala-Muhaxhiri, i dëmtuari Aliu ka thënë se të akuzuarin Konxheli për herë të parë po e shihte në gjykatë.

Sipas Aliut, në ditën kritike ai së bashku me punëtorët kur kishin shkuar për të marrë armaturën e përpunuar, e cila kishte qëndruar për rreth dy jave tek objekti që ishte në ndërtim, kishin parë se ajo mungonte.

“Për çdo mëngjes, dhe mbrëmje unë e kontrolloj gjendjen materiale neper objekte te kompanisë time, edhe kur kom shku ne mëngjes dhe i kom dergu punëtorët me e marre armaturën, na e kemi pa që armatura nuk osht, ajo u kon e përpunume, në sasi diku 2800 kg  me gjatësi 3.80 m diku në vlerë prej 1500 euro me i ble po duke llogaritur edhe punën, gjithsej rreth 2000 euro”, ka thënë Aliu

Ai ka thënë se pasi që e kishte lajmëruar rastin në polici, nga dy banorët e banesave të njërës hyrje që ishte ndërtuar, ishte njoftuar për targat e kamionetës që sipas tyre, dy persona kishin marrë armaturat, e për të cilët kishin menduar se janë punëtorët e të dëmtuarit.

“Prej dy pronarëve të banesave- banorëve, të hymjes e cila ka qenë e përfunduar, të cilët e kanë marrë regjistrimin dhe ma kanë dhanë një letër e më kanë thanë qikjo osht kamioneta që ka ardh me dy punëtorë dhe i ka ngarku armaturat edhe nuk e dimë a jon kon punëtorët e tu a jo”, ka thënë Aliu.

Ndërsa, kur prokurorja Shala- Muhaxhiri, ka pyetur të dëmtuarin për identitetin e dy banorëve, Aliu ka thënë se dy pronarët e banesave jetojnë jashtë Kosovës dhe se të njëjtit kanë kërkuar nga ai të mos thirren në gjykatë si dëshmitarë.

I dëmtuari Aliu ka theksuar se objekti nuk ka qenë i siguruar me roje, por që ka qenë i pajisur me kamera të sigurisë, mirëpo sipas tij, në ditën kritike ato kamera nuk kanë punuar.

Kurse, i akuzuari Konxheli gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka thënë se ai nuk kishte njohuri se ku ishte vendi kritik për të cilin po akuzohej se kishte kryer veprën penale.

“Në mbrojtjen teme unë lidhur me këtë rast po garantoj që asnjë s’osht e saktë, unë as venin s’pe di bre ku osht. Veç po më merrni ne qafe se nuk jom kon unë”, ka thënë i akuzuari.

Konxheli ka treguar se kamioneta e përmendur në aktakuzë, është pronë e vëllait të tij, por se ai e ka përdorur ndonjëherë për të punuar, për transportim të mobilieve kryesisht, pasi që sipas tij, pesha maksimale që mund ta përballojë kamioneta është 1200 kg.

Ai ka thënë se është punonjës në Korporatën Energjetike të Kosovës që nga vitit 1984, dhe se  punën e transportit e ka bërë ndonjëherë pas orarit të punës.

Ndërsa, për vëllain e tij, Konxheli ka thënë se nuk e ka pyetur për rastin kritik, pasi që ai është në vuajtje të dënimit për një vepër tjetër penale.

Në seancën e së hënës, palët fillimisht kanë dhënë edhe fjalën e tyre hyrëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15 shkurt 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Shyqeri Konxhelit, të cilin e akuzon se më 28 qershor 2015, në firmën ndërtimore “BNT SHPK”, në objektin “Ultra Can”, në rrugën Pejë-Fushë Kosovë, pronë e të dëmtuarit Arben Aliu, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, i akuzuari me kamionin e tij ka hyrë në objektin “Ultra Can”.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari ka marrë armaturë me gjatësi prej 3-4 metra në vlerë 1500 euro, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “vjedhja”, nga neni 325 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi