Prokuroria tërhiqet nga ndjekja penale, aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për vjedhje të pyllit në Vushtrri

Vendim
Author

Raporton: Egzon HALILI

Nëntor 19, 2020

Vushtrri – Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, të enjten, ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për vjedhje të pyllit, Enver Hyseni.

Një aktgjykim i tillë është shpallur nga gjykatësi Rifat Bllata, pasi Prokuroria Themelore e Mitrovicës është tërhequr nga aktakuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Arian Xhema deklaroi se tërhiqen nga ndjekja penale në mungesë të provave, pasi e gjithë aktakuza është ngritur duke u mbështetur në fletëparaqitjen për dëmtimin e pyllit të cilën e kishte paraqitur dëshmitari-pylltari Milazim Bunjaku.

Ky i fundit, në seancën e mbajtur më 16 nëntor, duke u dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, ka thënë se nuk është i sigurt nëse në ditën kritike i akuzuari Hyseni ka qenë prezent në pyll duke prerë drunjtë.

Ai kishte thënë se personi i cili ishte në bankën e të akuzuarve nuk ngjason me personin të cilin e ka parë në ditë kritike, pasi personin të cilin e kishte takuar ka qenë me flokë më të gjata ndërsa për të akuzuarin Hyseni ka thënë se duket më ndryshe në pamjen fizike.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 17 tetor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Hysenit, për veprën penale “Vjedhja e pyllit”, nga neni 358 par. 2 dhe 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 19 shtator 2018, në rajonin ekonomiko-pyjor, në fshatin Sllakovc, në vendin e quajtur “Te Shkoza”, Komuna e Vushtrrisë, që menaxhohet nga Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Pyjeve, sektori i pylltarisë në Vushtrri, nga pyjet që janë pronë publike, pa leje përkatëse e me qëllim vjedhje ka prerë dru 123 copa të llojit “bungu”, me diametër 12-14cm, me gjatësi 9 metra me vëllim prej 6.15 metra kub, në vlerë të dëmit prej 940.95 euro. /BetimipërDrejtësi