Prokuroria tërhiqet nga ndjekja penale, aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli në Viti

14012020
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Janar 14, 2020

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, të martën, ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për veprën penale “vjedhja e pyllit”, Lirim Aliu.

Një aktgjykim i tillë është shpallur nga gjykatësja Drane Simani, pasi Prokuroria Themelore në Gjilan është tërhequr nga aktakuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja e rastit, Bahtie Ademi, ka thënë se me asnjë provë nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer një vepër të tillë penale.

Ajo ka theksuar se këtë vendim e mbështet edhe në deklarimin e rojës së pyllit, Kadri Ismajli, i cili është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, në fillim të seancës, para se të shpallej aktgjykimi.

“Në shqyrtimin e sotëm gjyqësor nga deklarata e dëshmitarit Kadri Ismajli nuk është vërtetuar se i pandehuri Lirim Aliu, ta ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet, ngase dëshmitari Kadri Ismajli, në këtë gjykatore deklaroj se në vendin e ngjarjes përkatësisht në paralelen 64, nuk e ka takuar të pandehurin Lirim duke prerë dru, ndërsa u thirrte kinse në deklaratën e tani të ndjerit Selman Selmani, ku sipas dëshmitarit Kadri Ismajli, kinse Selman Selmani i ka thënë se në ora 18:00, në vendin e quajtur “Zharet”, e ka vërejtur traktorin të mbushur me 5 metra dru, e që afër atij traktori të ndalur është ofruar Lirim Aliu”, tha prokurorja Ademi.

Para se prokurorja të hiqte dorë nga aktakuza, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar pikërisht rojtari i pyllit, Kadri Ismajli.

Ai ka deklaruar se më 28 maj 2016, rreth orës 14:00, në “paralelen 64”, në territorin e fshatit Lubishtë, i ka dëgjuar disa zhurma të motosharrave dhe me t’u afruar, në vendin e ngjarjes personat që ishin aty sipas tij, kanë ikur me kalë dhe pas kësaj ka vazhduar për në shtëpi.

Sipas tij, më pas, ka kontaktuar me  eprorin e tij, tashmë të ndjerin Selman Semanin, cili rreth orës 18:00 në vendin e quajtur “Zharet”, ka gjetur një traktor me 5 metra dru, e pranë të cilit ishte afruar Lirim Aliu dhe ka pohuar se traktori ishte i tij, dhe të njëjtin e dërgon në drejtim të Beguncës, për ta shitur.

Në pyetjen e prokurores nëse ka biseduar me tani të ndjerin Selmani, se a e kishte pyetur ai të akuzuarin ku i ka marrë ai këto dru, dëshmitari tha se nuk e din.

Ndërsa, në pyetjen e të akuzuarit nëse e kishte parë atë në mal duke prerë dru, dëshmitari Ismajli, ka thënë se nuk e ka parë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 21 tetor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Lirim Aliut, me arsyetimin se më 28 maj 2016, rreth orës 14:00, në fshatin Lubishtë të Vitisë, në pyllin shtetëror, në vendin e quajtur “Paralelja 64”, me qëllim të vjedhjes, i ka prerë 80 trungje të ahut, me diametër në cung prej 10-15 cm, në lartësi të drurit 13 cm, të gjata 9m, me vëllim të përgjithshëm prej 6.40 m3.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon në vendin e përmendur i pret ato me sharrë motorike  dhe më pas duke i bartur ato takohet prej pylltarëve Kadri Ismajli dhe Selami Selmani.

Bazuar në aktin akuzues, me veprimet e tij, i akuzuari i ka shkaktuar dëm Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, zyra në Viti, në shumën prej 864 euro.

Me këtë, Lirim Aliu, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi