Prokuroria tërhiqet nga ndjekja penale, aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për përvetësim të rreth 20 mijë eurove

ss
Author
Shkurt 22, 2021

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për përvetësim në detyrë, Agron Selimi.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që prokurori i rastit, Njazi Rexha pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, ka hequr dorë nga aktakuza me të cilën ngarkohet i akuzuari.

Prokurori Rexha, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësorë dhe administrimit te provave nuk është vërtetuar se i pandehuri Agron Selimi, ka kryer veprën penale me te cilën ngarkohet në aktakuzë.

“Pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësorë dhe administrimit të provave deklaroi se tërhiqem nga aktakuza,  pasi që nuk është vërtetuar se i pandehuri Agron Selimi ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet në aktakuzë, duke marr parasysh edhe organizimin e ndeshjeve të Kosovës me klubet tjera jashtë shtetit, vijmë në përfundim se veprimet e të pandehurit nuk janë veprimet e veprës penale për të cilën ngarkohet”, tha prokurori.

Në këtë seancë gjithashtu i  akuzuari Agron Selimi, ka dhënë mbrojtjen e tij.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Florent Maliqi, i pandehuri Selimi ka thënë se më kanë kërkuar nga klubi sepse kanë pasur nevojë për ndihmë financiare.

“Klubin e kamë marrë pasi më kanë kërkuar drejtuesit dhe anëtarët e bordit, nuk më kanë kërkuar se jam djali i mirë, por më kanë kërkuar sepse kanë pasur nevojë për ndihmë financiare më shumë se sa për një Agron, klubi ka qenë në gjendje të tmerrshme kur kam ardhur unë nuk ka pasur as ujë, rrymë, topa që besa as makinë të larjes së teshave e cila është e nevojshme, çka më thanë ma shumë kur nuk ka pasur as ujë e as rrymë”, ka deklaruar i pandehuri Selimi.

Tutje, ai ka thënë se sa i përket të gjitha këtyre mungesave që ishin aty, i ka ndërmarr të gjitha hapat dhe investimet duke angazhuar trajner dhe lojtar tjerë.

Ndërsa, kur prokurori Rexha, ka pyetur të pandehurin se a është e saktë se ka dhënë një deklaratë në polici në vitin 2010, ai ka thënë se policia e Kosovës më ka marrë në pyetje apo diçka kjo nuk është e vërtet, jam thirr në telefon me mashtrime.

“Nëse e keni dosjen komplet nëse mund ta gjeni se policia me ka marr në pyetje apo diçka kjo nuk është e vërtet, jam thirr në telefon me mashtrime “hej ku je Agron a i ki pesë minuta kohe me ardh në Mitrovicë”, unë ju kam thënë se po kam kohe veç se ka me udhëtu, normal i’ u përgjigja telefonatës dhe ftesës së tyre, kam hy në zyrë kanë filluar me pyetje me i pa sot nuk i njoh, por kanë filluar me pyetje shume arrogante, unë jam përgjigje, por se marr për bazë sepse kam qenë nën presioni e atyre dhe aeroplanit që kisha me hup”, ka thënë i pandehuri Selimi.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 24 maj 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Agron Selimi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Selimi, gjatë muajit nëntor 2010 dhe muajit mars 2011, në cilësinë e drejtorit të klubit të futbollit KF ”Kosova”, në Vushtrri ka pranuar shumën prej 30 mijë euro në emër të ndihmës financiare nga PTK-ja për ri këmbjen e klubit, me ç ‘rast ka përvetësuar shumën prej 19.236,00 euro.

Me këtë, Selimi akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi i detyrës” nga neni 425, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 Kodin Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi