Prokuroria s’e gjen lëndën pas bartjes në objektin e ri, shtyhet gjykimi për rrahjen e zyrtarëve të Postës në Gjakovë

Musa Tahiraj etj foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Janar 14, 2020

Gjakovë – Mungesa e përfaqësuesit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë që të mbahet të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ndaj të akuzuarve për lëndim të lehtë trupor, Musa Tahiraj dhe Esat Bellaja.

Gjykatësja Diana Sina, deklaroi se është njoftuar nga zëvendësuesi i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Uka, se prokurori nuk mund të përfaqësojë në këtë seancë, pasi që të njëjtit janë duke u bartur nga objekti ekzistues i Prokurorisë, në objektin e ri dhe se nuk po munden ta gjejnë lëndën, pasi që sot janë bartur në atë objekt.

Meqenëse, nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës, ajoa është shtyrë për 5 shkurt, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Musa Tahiraj po akuzohet se më 18 shtator 2018, rreth orës 11:50, në objektin e PTK-së në Gjakovë, i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Esat Bellaja.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që pasi që të dy janë punëtorë të PTK-së dhe për shkak të një mosmarrëveshje mes vete rreth kryerjes së punëve zyrtare, në ditën dhe momentin kritik e sulmojnë njëri-tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Musa Tahiraj, me mjet të fortë, çelësa të zyrës e godet të dëmtuarin Bellaja në kokë dhe me bombolën, e cila shërben për shuarjen e zjarrit e godet në pjesë të trupit, ku si pasojë e goditjeve i dëmtuari është përgjakur, ashtu që pas përleshjes në mes vete largohet nga vendi i ngjarjes, me çka të dëmtuarit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nënparagrafin 1.4 të KPRK-së.

Edhe i akuzuari Esat Bellaja po ngarkohet me veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nënparagrafin 1.4 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bellaja me datë, vend dhe kohë të njëjtë si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Musa Tahiraj, në atë mënyrë që ai me mjet të fortë, bombolën, e cila shërben për shuarjen e zjarrit, e godet në pjesë të trupit, me çka të dëmtuarit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore. /Betimipërdrejtësi