Prokuroria propozon të dënohen për korrupsion mjeku dhe infermieri, këta të fundit kërkojnë të lirohen

Raporton: Gzime HASHANI

Prishtinë Më përfundimin e procedurës së provave dhe fjalës përfundimtare ka përfunduar gjykimi ndaj mjekut Petrit Xhaka dhe infermierit Liridon Mehmeti të cilët akuzohen për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Xhaka në cilësinë e mjekut, ndërsa Mehmeti në cilësinë e infermierit, akuzohen se kishin marrë 100 euro ryshfet, nga i dëmtuari Gazmend Halili, babai i pacientes S.H, për përcjelljen e saj me autoambulancë për shërim në Tiranë.

Lidhur me këto akuza prokurori Zejnullah Gashi të enjten ka propozuar administrimin e dy provave materiale, siç ishin dokumentacioni mjekësor i pacientes S.H. dhe bankënotat e sekuestruara.

Lidhur me dokumentin mjekësor të S.H. pati vërejtje mbrojtësja e të akuzuarit Xhaka, avokatja Saranda Keqekolla, pasi që sipas saj i mbrojturi i saj nuk akuzohet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, por për keqpërdorim.

Sipas saj është e panevojshme të administrohet si provë pasi që kjo nuk është kontestuese, mirëpo trupi gjykues vendosi që këto dy prova të propozuara nga prokuroria administrohen.

Në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuarit Xhaka, avokatja Keqekolla ka propozuar që si provë të administrohet, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin sipas avokates argumentohet se kjo gjykatë ka dhënë mendimin se stafi mjekësor i punësuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), lejohet të punojë jashtë orarit të rregullt të punës.

Tutje ajo propozoi që të administrohet si provë statuti i QKUK, ku përcaktohet saktësisht se nuk është obligim i QKUK-së, të bëj transferimin e pacientit pasi i njëjti të udhëzohet për shërim jashtë vendit.

Ajo propozoi si provë edhe udhëzimin administrativ për trajtim mjekësorë jashtë institucioneve shëndetësore publike, ku ritheksohet se nuk është obligim i institucioneve publike shëndetësore transporti i pacientëve për trajtim jashtë institucionit publik.

Rregullorja mbi shfrytëzimin e autoambulancave për transportin e pacientëve në qendrat tjera spitalore, ishte prova pasuese e propozuar nga mbrojtja, me të cilën sipas avokates është edhe çmimorja kur pacientët zgjedhin transportin e QKUK-së.

Avokatja Keqekolla propozoi edhe disa vendime me të cilat vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk ka marr kompensim dhe se nuk ka qenë në orar të punës gjatë kohës kur është bërë transporti.

Pranë këtyre propozimeve mbeti edhe mbrojtësja e të akuzuarit Mehmeti, avokatja Mirela Beqiraj.

Lidhur me këto propozime, prokurori Gashi tha se nuk i posedon këto prova dhe se nuk mund të deklarohet.

Mirëpo për këtë gjykatësja Krasniqi – Jashanica tha se në fazën e përgjigjes në kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave Prokurori i Shtetit i ka pasur në shiqim provat e njëjta, megjithatë i ofrohen edhe një herë që ai t’i lexoj për çka prokurorit i ‘u dha kohë 10 minuta.

Lidhur me këto prova, prokurori pas pauzës tha se parimisht nuk i kundërshton këto prova, mirëpo tha se ka vërejtje për provat që nuk lidhen me objektin e akuzës.

Sa i përket përmbajtjes prokurori Gashi tha se do të deklarohet në fjalën përfundimtare.

Trupi gjykues më pas mori aktvendim që provat e propozuara të administrohen dhe seanca vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga ana e të akuzuarve.

Gjatë kësaj seance i akuzuari Petrit Xhaka dha mbrojtjen e tij, ku deklaroi se kjo aktakuzë ka qenë e pa bazë. “Ka qenë një kurth nga ana e prindit pa shkas, na është bërë një dëm i madh moral, psikik dhe ekonomik” shtoi ai.

I akuzuari tha se gjendja shëndetësore e fëmiut ka qenë e rëndë dhe se edhe sot do ta bënte një gjë të tillë për të shpëtuar jetë.

Xhaka gjatë dhënies së mbrojtjes së tij tha se ditën kritike ishte telefonuar nga doktoresha Arbana Maloku e cila e kishte njoftuar se një paciente është në gjendje të rëndë shëndetësore pasi që operacioni i kryer një ditë më parë nuk kishte pasur sukses.

“Prindi po don ta dërgoj në Tiranë, mirëpo nuk po gjen ekip mjekësor transporti për Tiranë, për shkak se është refuzuar nga disa spitale” tha i akuzuari.

Xhaka deklaroi se nga ai ka kërkuar që për shkak të përvojës së tij, ta shoqëroj ai për në Tiranë pacienten.

“Nëse pshton gjallë veç ti mundesh me qu” deklaroi i akuzuari teksa po rrëfente se çfarë i kishte thënë doktoresha.

I akuzuari tha se fillimisht kishte refuzuar për shkak të disa obligimeve familjare, mirëpo ajo e kishte telefonuar sërish dhe e kishte njoftuar se nuk po gjen zgjidhje tjetër duke e lutur që t’i bëj zgjidhje se përndryshe fëmiu do të ndërroj jetë.

“Pastaj më kanë thirre doktoresha Flora dhe Rifadije dhe më kanë lut” tha dëshmitari, i cili shtoi se pas kësaj, duke e parë gjendjen e pacientes kishte vendosur që të pranoj.

Pas, kontrolleve të fëmiut, i akuzuari tha se babai i fëmiut i kishte thënë se është i gatshëm të marr përsipër çfarëdolloj rreziku.

“Qëllimi parësor pse po shkoj në Tiranë ka qenë dhënia e mundësisë për mbijetesë të këtij fëmiu” tha i akuzuari, derisa shtoi se sa i përket i dëmtuari e kishte pyetur se sa është pagesa e transportit, për cka i akuzuari i tha se nuk i kishte caktuar shumë.

“Për shkak se më është dhimbsur femiu se ishte në një gjendje shumë të rëndë, edhe pse nuk e kisha detyrim, por gjendja e fëmijës ishte me rrisk dhe rruga ishte e gjatë” shtoi i akuzuari.

Sa i përket shumës prej 50 euro që i ishin gjetur në xhep gjatë kontrollit nga policia, i akuzuari tha se ato të holla ia kishte dhënë i dëmtuari si “bakshish” për punën që ka bërë.

Xhaka tha se pasi që ishin ndaluar nga Policia, këta të fundit kishin dashur ta lënë fëmiun aty, mirëpo gjendja e fëmiut është keqësuar dhe ata kishin lejuar vazhdimin e rrugës.

Gjatë marrjes në pyetjet nga prokurori Zejnullah Gashi, i akuzuari deklaroi se është e vërtet se ka qenë në punë në ditën kritike, mirëpo vetëm deri në orën 14:00 kur edhe e kishte përfunduar orarin e punës.

“Ju that se keni pranuar 50 euro nga prindi i S.H., a është e vërtetë” ishte pyetja e prokurorit ku i akuzuari tha se po.

Në pyetjen e prokurorit a e ka bërë këtë për çështje humanitare apo zyrtare, i akuzuari tha se kam vendosur fillimisht për çështje humanitare.

Ndërsa nëse ky transport është bërë nga urdhëri i menaxhmentit apo pa urdhër, i akuzuari tha se është bërë me kërkesë të kolegëve dhe nuk ka pasur nevojë për urdhër pasi që askush nuk mund ta detyroj të dal jashtë QKUK-së.

Në pyetjen e gjykatësit Agim Kuqi se a kishte kryer edhe më herët shërbime të tilla, i akuzuari tha se po, pasi që për 3 vite kishte qenë mjek i emergjencës.

“Shërbime të tilla a kryejn edhe mjekët e tjerë në QKUK” ishte pyetja pasuese të cilën e pohoi i akuzuari duke shtuar se po, edhe mjekët tjerë kryejn shërbime të tilla.

Këto shërbime i akuzuari tha se i kryejnë pas orarit të punës dhe për to paguhen nga vetë pacientët.

Pagesat sipas të akuzuarit përcaktohen nga secili mjek apo kompani që kryen shërbime të tilla.

Ai shtoi se pas këtij rasti nuk kishte kryer më shërbime të tilla dhe si pasoj e kësaj dy pacientë kanë vdekur për shkak se askush nuk kishte pranuar t’i transportonte.

Gjatë seancës së mbajtur të enjten mbrojtjen e tij e dha edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Liridon Mehmeti.

Ai tha se ditën kritike kishte pranuar një telefonatë nga kirurgu Ylber Zejnullahu i cili e kishte njoftuar se kishte qenë një rast i rëndë që ka nevojë për transport për Tiranë.

Mehmeti tha se kirurgu e kishte pyetur se a shkon dikush sepse askush nuk po pranon të shkoj, dhe ai i ishte përgjigjur se ai shkon por nuk mundet pas që është në orar të punës.

“Kam vazhduar të marr edhe disa telefonata, një doktoreshë prej klinikës së pediatrisë, edhe më tha a mundesh me ardh se ti je njo prej tyne që mun me i përciell rastet pediatrike se tjerët spo pritojnë me ardh” tha i akuzuari.

Mehmeti deklaroi se i kishte thënë doktoreshës se meqenëse askush spo pranon, mund të vij por duhet të gjej një zëvendësim për vendin e tij të punës.

“Pas insistimit të doktoreshës, pranova me shku veq prita me ardh zëvendësimi” tha i akuzuari Mehmeti duke shtuar se i është kërkuar që të veproj me urgjencë.

Ai tha se i kishte thënë doktoreshës se mund të shkoj edhe pa pare për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Pasi kishte shkuar në klinikë ishte takuar me doktorët e repartit, i akuzuari tha se babai i fëmiut e kishte pyetur se sa para i kërkon, mirëpo ai nuk i kishte kërkuar. Mehmeti tha se para se të nisej autoambulanca ia kishte gjuajtur 50 euro në prehër.

Në pyetjen e prokurorit Gashi se a ishte bërë zëvendësimi i tij në punë për të shkuar në Tiranë, i akuzuari tha se po.

“Ju në ditën kritike keni qenë në orar të punës, apo” i akuzuari tha se po duke shtuar se më pas kishte gjetur zëvendësimin për punë dhe se ai kishte qenë jashtë detyrës zyrtare kur kishte bërë transportin.

Në pyetjen e gjykatëses Medie Bytyqi se kush e kishte zëvendësuar në orarin e tij të punës për të bërë transportin, i akuzuari tha se ishte infermieri Agron Bajrami dhe zëvendësimin e kishte kërkuar nga kryeinfermierja dhe e njëjta i kishte dhënë leje me kusht që të gjej zëvendësimin.

Ndërsa lidhur me atë se a kishte kryer shërbime të ngjashme privatisht pas këtij rasti, i akuzuari tha se po, kishte kryer shërbime të tilla mirëpo jo në fillim pasi që kishte qenë keq emocionalisht për shkak të këtij rasti.

“A vazhdoni me i kry edhe sot këto shërbime” ishte pyetja e gjykatësit Kuqi, ku dëshmitari tha se po, kur ka insistim të madh.

Pas përfundimit të procedurës së provave u dha fjala përfundimtare e palëve.

Prokurori Zejnullah Gashi deklaroi se mbetet në tërësi pranë aktakuzës ndaj dy të akuzuarve.

Sipas tij gjatë administrimit të provave gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar pa asnjë dilemë se të akuzuarit janë kryerës të veprave penale me të cilat i ngarkon kjo prokurori.

“Andaj përkitazi me provat të cilat janë administruar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit Petrit Xhaka dhe Liridon Mehemti në cilësi të personave zyrtarë me dashje të drejtpërdrejtë duke i shfrytëzuar mjetet për transportimin e pacientëve të QKUK-së, dhe pozitën e vështirë të pacientit në këtë rast një fëmije 2 vjeçare, në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, po ashtu edhe pozitën e vështirë ekonomike të të dëmtuarit kanë pranuar shumat e të hollave prej 50 eurove të cilët iu janë kapur nga xhepat e tyre nga ana e Policisë së Kosovës” deklaroi prokurori në fjalën e tij përfundimtare.

Sipas prokurorit, deklarimi i tyre se qëllimi ka qenë human është në shpërputhje me gjendjen faktike.

Ai kërkoi nga gjykata që t’ia fal besimin deklaratave të të akuzuarve të dhëna në Polici dhe deklaratës së të dëmtuarit Gazemd Halili.

Gashi kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i shpall fajtorë dhe të njëjtit t’i dënoj konform dispozitave ligjore.

Në fjalën e saj përfundimtare avokatja Saranda Keqekolla tha se prokuroria nuk ka arritur me asnjë provë të vërtetoj përtej dyshimit të bazuar se i mbrojturi i saj është kryerës i veprës penale që i vihet në barrë.

Sipas saj edhe vet i dëmtuari ka pohuar se 50 euro i janë dhënë si “bakshish”, dhe sipas saj kjo nuk mund të konsiderohet si vepër penale pasi që i mbrojturi i saj ka shpjeguar në mënyrë të detajuar se i njëjti punon privat me pagesë por në rastin konkret për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, siç e ka përshkruar i është dukur e paarsyeshme të kërkoj të holla dhe për këtë arsye në të gjitha rastet i njëjti ka thënë se nuk ka nevojë me dhënë të holla, por që “bakshishin” e kishte pranuar.

Ajo i propozoi gjykatës që me rastin e marrjes së aktgjykimit t’ia fal besimin edhe deklarimit të të mbrojturit tim të dhënë në mbrojtjen e tij si dhe provave të tjera të bashkangjitura.

Keqekolla kërkoi që i mbrojturi i saj të shpallet i pafajshëm, një kërkesë e tillë u paraqi edhe nga i akuzuari Xhaka, i cili tha se është plotësisht i pafajshëm.

Avokatja Mirela Beqiri e cila mbron të akuzuarin Mehmeti tha se me të gjitha provat e administruara është vërtetuar se i mbrojturi i saj është i pafajshëm.

Ajo kërkoi nga gjykata që të mbrojturin e saj ta shpall të pafajshëm pasi që i njëjti nuk është kryerës i veprës penale me të cilën e ngarkon prokuroria.

Pas përfundimit të këtij gjykimi, gjykatësja Naime Krasniqi – Jashanica njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 8 dhjetor 2021.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë në shtator të vitit 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Petrit Xhakës dhe Liridon Mehmetit, për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje e ryshfetit”.

Sipas prokurorisë, Xhaka në cilësinë e mjekut, ndërsa Mehmeti në cilësinë e infermierit, kishin marrë 100 euro ryshfet, nga i dëmtuari Gazmend Halili, babai i pacientes S.H, për përcjelljen e saj me autoambulancë për shërim në Tiranë.

Ky rast ishte lajmëruar në polici nga vet i dëmtuari Halili, ndërsa dy të akuzuarve policia u kishte konfiskuar dy kartëmonedha në vlerë prej 50 eurosh./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë