Prokuroria propozon dënim për të akuzuarin për grabitjen në Pejë, mbrojtja kërkon lirim

8 tetor 2019 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Tetor 8, 2019

Pejë – Prokuroria Themelore në Pejë ka propozuar që i akuzuari për grabitjen e mijërave eurove, frangave, dollarëve dhe arit, Skifter Beqiraj, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Një propozim të tillë, e ka dhënë prokurorja Sahide Gashi, gjatë seancës të së martës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë, në të cilin palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo është hera e dytë kur në këtë çështje penale është dhënë fjala përfundimtare, pasi gjykatësi Sylë Lokaj, kishte vendosur të rihapte seancën e shqyrtimit gjyqësor për të evituar kundërthëniet e ekspertëve, lidhur me mospërputhjen e ADN-së të gjetura në vendin e ngjarjes dhe ADN-së të të akuzuarit.

Në seancën e së martës, prokurorja Gashi ka deklaruar se janë dy prova të cila e inkriminojnë të akuzuarin si kryes të grabitjes.

“Në dy gjurmë të nxjerra nga vendi i ngjarjes janë gjetur AND-ja e të akuzuarit, siç është njolla e kuqe e gjakut në xhaketën e të dëmtuarit, e tjetra në kabllon, me të cilën të dëmtuarit i janë lidhur duart. Se këto gjurmë i takojnë pa asnjë dyshim të pandehurit, është vërtetuar nga raporti i ekspertizës së AND-së”, ka deklaruar Gashi.

Ekspertizën AND-së, të përpiluar nga ekspertët e Forenzikës, e ka cilësuar si kredibile dhe sipas prokurores, ajo ishte kryer përmes instrumenteve standarde, kurse ekspertët kanë pasur një qëndrim konsistent në qëndrimet e tyre.

Gashi ka thënë se i akuzuari Beqiraj, kishte vepruar si pjesë e një grupi të përbërë së paku prej tre personash, fakt i cili sipas tij, ishte vërtetuar nga deklarata e të dëmtuarit Gazmend Gashi dhe video-incizimet në dyqanin e të dëmtuarit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Skifter Beqiraj, avokati Salih Mekaj, e ka konsideruar të papërfunduar vërtetimin e gjendjes faktike këtë çështje penale, pasi sipas tij, ekspertët e ADN-së edhe pas rimarrjes së tyre në pyetje kishin prodhuar konfuzitet, duke pasur qëndrime kontradiktore.

Avokati Mekaj, e ka cilësuar të metë juridikisht aktakuzën e Prokurorisë së Pejës dhe tendencioze dhe e bazuar në supozime, pasi sipas tij, organi i akuzës e kishte akuzuar të mbrojturin se kishte pasur marrëveshje me personat e tjerë, ndërsa sipas Mekajt, nuk ishte administruar asnjë provë se i mbrojturi i tij kishte vepruar si anëtar i grupit.

Këtë pretendim, Mekaj e ka bazuar edhe në deklaratën e të dëmtuarit Gazmend Gashi, i cili në polici kishte deklaruar se kanë qenë dy persona që e kanë goditur dhe ia kanë mbyllur gojën, kurse këtë deklarim, sipas tij, e kishte ndërruar në prokurori ku kishte thënë se ishin katër persona.

“I dëmtuari e ka ndryshuar dëshminë e tij në prokurori dhe ka filluar të flas për katër persona dhe për çudi nuk është pyetur nga prokuroria se përse e ka ndryshuar deklaratën. Unë dyshoj se është instruktuar për të thënë kështu”, ka thënë Mekaj.

Përveç  kësaj, Mekaj ka deklaruar se edhe cilësimi juridik i aktakuzës ishte formuluar gabimisht pasi sipas tij, i pandehuri akuzohet për grabitje, duke vepruar si anëtar i grupit, ndërsa në dispozitiv të aktakuzës, theksohet se i mbrojturi i tij, kishte pasur marrëveshje paraprake me persona tjerë.

“Në aktakuzë  thuhet se e godasin  të dëmtuarin me mjete të forta në  shpinë për të treguar se ku i ka paratë dhe i pandehuri ia ka prerë me skalper xhaketën të cilën e kishte veshur i dëmtuari, por askund në shkresat e lëndës nuk është thënë se i pandehuri Skifter se ia ka prerë me xhaketën. Unë dua ta dijë se nga e nxjerrë përfaqësuesja e akuzës këtë përfundim të tillë”, ka deklaruar Mekaj.

Ai ka thënë se e argumenton pafajësinë e të mbrojturit të tij me mos identifikimin e të akuzuarit nga ana e të dëmtuarit, raportet telefonike nuk dëshmojnë se i akuzuari ishte në vendin e ngjarjes, me mos gjetjen e gjurmëve papilare të mbrojturit të tij në vendin e ngjarjes dhe sipas Mekajt, incizimet e sigurisë në këmbimoren e të dëmtuarit nuk provojnë praninë e të pandehurit në vendin e ngjarjes.

Ndërsa, për provën e ekspertizës së AND-së, e cila sipas ekspertizës, rezulton të jetë e të pandehurit, avokati Mekaj, ka thënë se një ekspertizë e tillë bie ndesh në standardet e veprimit, duke e bërë ekspertizën të paplotë dhe të paqartë.

Se ekspertiza e AND-së, nuk ishte në përputhje me standarde, sipas Mekaj, është se nuk ishte prezantuar licencë dhe certifikatë të kalibrimit dhe servisimit të mjeteve në të cilat është bërë ekspertiza.

Mekaj ka shtuar se edhe mostrat e të mbrojturit të tij, ishin marrë me emër dhe mbiemër, e që sipas tij, bazuar në standardet e veprimit, të njëjtat do duhej të ishin të koduara për të shfaqur objektivitetin e ekspertimit.

Ai ka thënë se kishte mospërputhje mes profilit të AND-së të të pandehurit të marrë nga pështyma e tij dhe profilit të gjetur në vendin e ngjarjes dhe 16 lokuset nuk përputhen në mes tyre, e sipas Mekajt, këto lokuse do duhej të përputheshim me njëra-tjetrën, sepse mospërputhja e përjashton personin.

“Në rastin që ju po gjykoni sot kemi një rast shkollor të mospërputhjes së plotë të 16 lokuseve të profilit të akuzuarit me profilin e gjurmëve të vendit të ngjarjes. Ky është lokusi i 16 i paraqitur nën kolonin “FAG”. Përpjekjet për ta arsyetuar këtë mospërputhje me “mungesë sinjali dhe mungesë të mostrës së pastër apo mostra ishte miksturë”, janë argumentime skajshmërish joprofesionale dhe e kanë rritur shkallën e mosbesueshmërisë në gjetjet e këtij ekspertimi”, ka deklaruar Mekaj.

Sipas tij, nëse lokuset nuk përputhen, i mbrojturi i tij duhet përjashtuar si pjesëmarrës në kryerjen e veprës penale.

Avokati Mekaj, ka deklaruar se nuk ishte provuar nga Prokuroria se sa ishte shuma e parave të marra nga këmbimorja e të dëmtuarit dhe se sipas tij, është e papranueshme që dëmi të mbështetet në letra të cilat i dëmtuari i kishte shkruar.

Në fund, avokati Mekaj ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga aktakuza.

Seanca e radhës në të cilin do të bëhet shpallja e aktgjykimit është caktuar më 10 tetor 2019, nga ora 15:00.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 5 shkurt 2019, i akuzuari Beqiraj ishte deklaruar i pafajshëm për këto akuza.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 dhjetor 2018, Prokuroria Themelore në Pejë, e akuzon Skifter Beqiraj, se më 27 dhjetor 2016, rreth orës 23:00, në Pejë, në rrugën “Halil Agusholli”, në marrëveshje paraprake mes tij dhe grupit tjetër, ku bëjnë pjesë së paku edhe tre persona, ende të paidentifikuar, kanë përdorë forcën ndaj Gazmend Gashit, për të përvetësuar pasurinë e luajtshme, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me personat tjerë, përmes çatisë depërtojnë në brendësi të shtëpisë të të dëmtuarit Gazmend Gashi, kur i dëmtuari hynë në korridor, të pandehurit i hudhen sipër duke e shtrirë në tokë me fjalët “policia, policia”, dhe me shirit ngjitës ia lidhin gojën dhe këmbët duke e tërhequr zvarrë deri në dhomën e pritjes, ku ia vënë prangat në duar pas shpine, e në kërkim të çelësave të këmbimores “Te Gazi”, pronë e të dëmtuarit që gjendet në qendër të Pejës, e godasin të njëjtin me mjete të forta në kokë dhe shpin, për ta detyruar të tregojë se ku i ka fshehur çelësat.

Më pas, i pandehuri Beqiraj me mjet të mprehtë ia prenë xhaketën të dëmtuarit, ku në xhepin e brendshëm i gjen çelësat dhe ia dorëzon njërit prej bashkëkryerësve, i cili më pas shkon në këmbimoren në fjalë dhe nga kasaforta merr 146,499,00 franga zvicerane, 27,433 dollarë amerikanë, 52 mijë e 90 euro, 1,237,23 euro në valuta të ndryshme norvegjeze, suedeze, 262.95 lekë, si dhe ari në vlerë prej 15 mijë euro. /Betimipërdrejtësi