Prokuroria nuk merr aktvendim për fillim të hetimeve, gjykata e hudhë aktakuzën si të parregullt dhe të kundërligjshme

Foto, Gjykata Podujeve, 7
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Nëntor 29, 2019

Podujevë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, ështe hudhur  si e parregullt dhe jo e ligjshme, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarit për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, Ismet Arifi.

Hudhja e aktakuzës së përpiluar nga prokurori Blerim Igrishta, është bërë të premten, nga gjykatësi i çështjes, Gazmend Bahtiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktvendim thuhet se më herët kjo aktakuzë i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, por më vonë e njëjta ishte shpallë jo kompetente në aspektin territorial.

Më tej, po të njëjtën lëndë e kishte pranuar dega në Podujevë dhe kishte mbajtur seancë fillestare me 8 nëntor të këtij viti, në të cilën seancë aktakuzën e kishte përfaqësuar prokurori Ilir Morina.

Siç thuhet më tutje, gjykata në seancën e 8 nëntorit, pasi kishte analizuar shkresat e lëndë, kishte vërejtur se nuk ka aktvendim për fillim të hetimeve dhe se as i pandehuri nuk ishte marrë në pyetje në prokurori dhe se nuk ishte precizuar saktë as koha e kryerjes së veprës penale, edhe përkundër faktit se për veprën penale në fjalë parashihet dënim me burgim 3 muaj deri në 5 vite.

Pas këtyre të gjeturave, gjykata i kishte kërkuar prokurorisë që, brenda afatit prej 7 ditësh, të bëjë plotësimin e aktakuzës dhe të merret në pyetje i pandehuri, duke u përcaktuar saktë edhe koha e kryerjes së veprës penale.

Tutje, prokuroria me parashtresë, me 18 nëntor,  e kishte njoftuar gjykatën mbi kohën e kryerjes së veprës penale.

“Duke ju referuar nenit 102, paragrafit 2 të KPPRK-së, rezulton qartë se aktakuza nuk mund të ngritët pa i zhvilluar hetimet për veprat penale për të cilat, sipas ligjit, mund të shqiptohet dënim mbi tre vite burgim, ndërsa duke u bazuar në nenin 104, paragrafi 1 të KPPRK-së, hetimi fillohet me aktvendim të Prokurorisë së Shtetit”, thuhet më tej në këtë aktvendim.

Sipas gjykatësit Bahtiri, meqë prokuroria pa aktvendim për fillim hetimesh e ka marr në pyetje të pandehurin, gjë që sipas tij është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, është hudhë kjo aktakuzë.

Me të njëjtin aktvendim, shpenzimet e procedurës bien në barrën e mjeteve buxhetore të Gjykatës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 16 dhjetorit 2014, Ismet Arifi akuzohet se me qëllim që kishte dashur të vënte në lajthim organin kompetent, për të vërtetuar një çështje të pavërtetë, e paraparë që të shërbej si provë në të ardhmen, në vitin 2010, ai i ka ofruar zyrës së Ofiqarisë në fshatin Lluzhan një certifikatë të lindjes, me të cilën pretendon se kinse i njëjti është i lindur në vitin 1951 dhe jo me 15 janar të vitit 1949, datë kjo të cilën i pandehuri e kishte deri në atë kohë dhe e cila i figuronte me dokumentacionin e mëhershëm.

Siç thuhet më tej, këtë veprim e kishte bërë në mënyrë që t’i ikë moshës së pensionit të cilën do ta arrinte me 15 janar 2014.

Më këtë ai akuzohej se ka kryer veprën penale “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë” nga neni 334, paragrafi 1 të KPK-së. /Betimipërdrejtësi