Prokuroria nis hetimet pas anulimit të zgjedhjeve në Han të Elezit

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj- Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se ka autorizuar Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin e anulimit të zgjedhjeve lokale për kryetar komune në Han të Elezit.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria, ku thuhet se hetimet lidhur me rastin në fjalë kanë nisur pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka anuluar procesin e votimeve të datës 17 tetor 2021 për kryetar komune në Han të Elezit.

Sipas Prokurorisë, Sektori Rajonal i Hetimeve do të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin në fjalë, nën dyshimin për veprat penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndryshe, kandidatë për kryetar të Komunës Hani i Elezit, ishin Sherif Berisha, Rufki Suma dhe Mehmet Ballazhi, ku me shumicë votash kryetar i kësaj komune u zgjodh fitues Mehmet Ballazhi.

Lidhur me këtë, kandidati për kryetar të komunës së lartcekur, Rufki Suma, ka parashtruar ankesë.

Pas kësaj, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 21 tetor 2021 mori vendim në bazë të cilit është pranuar ankesa e kandidatit për kryetar të Komunës në Han të Elezit, Rufki Suma.

Në bazë të këtij vendimi, është anuluar procesi i votimit për zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor 2021, vetëm për kryetar komune.

Po ashtu, sipas vendimit të PZAP, është urdhëruar Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) me seli në Prishtinë, ta përsërisë votimin vetëm për kryetar komune në qendrat e votimit, në Komunën e Hanit të Elezit.

Në arsyetimin e PZAP-së thuhet se zgjedhjet në këtë komunë janë anuluar për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. PranoLexo më shumë