Prokuroria ndryshon aktakuzën ndaj ish-shefit të kabinetit të kryetarit të Pejës, aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit tjetër

15 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Prill 15, 2019

Pejë – Budak Shala, ish-shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, nuk do të akuzohet më për keqpërdorim të pozitës zyrtare, por për veprën penale të mashtrimit.

Kjo për arsye se Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë rikualifikimin e veprës penale ndaj tij, derisa ka hequr dorë nga aktakuza që të pandehurin Enver Daci e ngarkonte me veprën penale të mashtrimit.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sylë Lokaj ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit Enver Daci, ndërsa ndaj të pandehurit Budak Shala është veçuar procedura.

Budak Shala akuzohet se duke punuar në zyrën e kabinetit të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri ka përpiluar vendimin me numër 400-58874/2016, kinse të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve të Komunës së Pejës, e pastaj ia ka dërguar kryetarit të Pejës, Gamend Muhaxheri, të cilin e ka vënë në lajthim dhe pa e kontrolluar i njëjti e ka nënshkruar së bashku me vendimet tjera, me ç’rast i është njohur e drejta kompanisë “Citroen”, pronar i së cilës ishte Enver Daci,  për kompensim në shumë prej mbi 400 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Rikualifikimin e veprës penale ndaj të akuzuarit Shala dhe heqjen dorë nga aktakuza ndaj të pandehurit Daci, e ka bërë prokurori i çështjes, Ardian Hajdaraj në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Pejë, ku ishte paraparë të jepen fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

“Gjatë shqyrtimit kryesor me administrimin e provave ndaj të pandehurit Budak Shala, kam gjetur se në veprimet e tij inkriminuese nuk qëndrojnë elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, siç është akuzuar në akuzën fillestare dhe në këtë kuptim ndaj të pandehurit Shala bëj ricilësimin juridik të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në  veprën penale mashtrim nga neni 335 par.3 lidhur par.1 të KPRK-së”, ka thënë prokurori Hajdaraj.

Kurse, sa i përket të pandehurit Enver Daci, prokurori Hajdaraj, ka thënë se pas administrimit të provave nuk është provuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Budak Shala, avokati Idriz Ibraj, ndryshimin e aktakuzës nga ana e prokurorit e ka konsideruar si substancial në këtë çështje, duke kërkuar nga gjykata kohë shtesë, në mënyrë që të përgatisë mbrojtjen.

Ndër të tjera, avokati Shala, ka deklaruar se ndaj të mbrojturit të tij ishte hera e katërt që është  duke u ndryshuar cilësimi i aktakuzës.

Në anën tjetër, prokurori Hajdaraj ka thënë se rikualifikimi juridik ndaj Shalës nuk paraqiste ndryshim substancial të akuzës, siç pretendon mbrojtja.

Pas rikualifikimit të veprës penale, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sylë Lokaj ka thënë se shqyrtimi kryesor ndaj të akuzuarit Budak Shala do të përsëritet dhe sipas tij, seanca e radhës do të caktohet më vendim të veçantë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar më 15 prill 2019 nga Prokuroria Themelore e Pejës, Budak Shala akuzohet se më 28 prill 2016 në Pejë, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka tentuar t’i  shkaktojë dëm material Komunës së Pejës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike të 15 prillit 2016, duke punuar në zyrën e kabinetit të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri ka përpiluar vendimin me numër 400-58874/2016, kinse të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve të Komunës së Pejës, e pastaj iaa ka dërguar kryetarit të Pejës, të cilin e ka vënë në lajthim dhe pa e kontrolluar i njëjti e ka nënshkruar së bashku me vendimet tjera.

Në bazë të aktakuzës, vendimin e nënshkruar i pandehuri ia përcjellë kompanisë “Citroen”, në Pejë, pronar i së cilës ishte Enver Daci, duke ia njohur të drejtën si operator ekonomik kontraktues për çdo veturë kompensim ditor prej 5 euro, mbi bazën e të cilit kjo kompani ka parashtruar kërkesën për ekzekutim në shumë prej 414 mijë e 988 euro.

Kurse, sipas aktakuzës, i pandehurit Enver Daci, akuzohej se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka tentuar  që me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, t’i shkaktojë dëm  material të dëmtuarës – Komunës së Pejës, duke e përdorur vendimin e falsifikuar me numër 58874, kinse të lëshuar nga Bordi i Drejtorëve të Komunës së Pejës, duke e pranuar nga i pandehuri Budak Shala.

Ai akuzohej se vendimin e pranuar e dërgon përmes postës tek zyrtari i financave, këtu të dëmtuarin Jeton Abazaj, me ç’rast ka kërkuar kompensimin e dëmit me vlerë prej 440.000 euro, ashtu që i dëmtuari duke dyshuar në kërkesën e të pandehurit Daci, vendimin në fjalë e dërgon tek i dëmtuari Gazmend Muhaxheri, ndërsa ky i fundit menjëherë e paraqet rastin në polici dhe në prokurori.

Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer vepër penale të mashtrimit në tentativë, nga neni 335 par 3 lidhur me par 1 dhe me nenin 28 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi