Prokuroria ndalon udhëheqësin e Spitalit të Ferizajt, dyshohet se mbushi veturën private me naftë të spitalit
Fotoja është nga arkivi
Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Spitalit të Ferizajt, H.G, është ndaluar nga Prokuroria e Shtetit nën dyshimin se i njëjti ka përdorë naftën e spitalit për makinën e tij private.
Kjo është bërë e ditur nga një komunikatë e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
“Pas një hetimi një mujor nga ana e Prokurorisë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar të dyshuarin H.G., në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se H.G., ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e furnizuar veturën e tij private me derivate të naftës në kuadër të tenderit të paraparë për Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, do të vendos për procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim./BetimipërDrejtësi