Prokuroria kundërshton në Apel rikualifikimin e veprës penale, kërkon që i akuzuari për lëndim të rëndë trupor të dënohet për tentim vrasje

gf
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Tetor 8, 2019

Prishtinë – Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit, që i akuzuari Sejdi Hasani, të shpallet fajtor për tentim vrasje dhe të dënohet për këtë vepër penale, e jo sipas ricilësimit të veprës penale që ka bërë Gjykata Themelore në Ferizaj.

Ankesën e saj, kjo prokurori, e ka bërë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, e cila e kishte rikualifikuar veprën penale, nga tentim vrasje në lëndim të rëndë trupor.

Pasi që e kishte bërë ricilësimin e veprës penale, i akuzuari Hasani, ishte shpallur fajtor për lëndim të rëndë trupor, me ç’rast e pakënaqur me një gjë të tillë, ankesë në gjykatën e shkallës së dytë, ka parashtruar organi i akuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata në Ferizaj, me aktgjykimin e shpallur në vitin 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Hasani, për lëndim të rëndë trupor dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej tre vjet e gjashtë muaj burg efektiv.

Kjo pasi që, ai akuzohej se në shtator të vitit 2018, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme kishte goditur me dru nga prapa dhe në fytyrë të dëmtuarin Arianit Selimi, me ç’rast i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Por, prokuroria pretendon se ricilësimi i veprës penale nga gjykata është bërë gabimisht, duke propozuar që Gjykata e Apelit të ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe Hasanin ta dënojë sipas aktakuzës.

Prokuroria po ashtu pretendon se gjykata e shkallës së parë ka shqiptuar një dënim shumë të butë ndaj të akuzuarit Hasani.

I pakënaqur me vendimin e shkallës së parë,  ka qenë edhe i dënuari, i cili përmes mbrojtësit të tij, avokatit Nezir Bytyqi kishte ushtruar ankesë në shkallë të dytë.

Sipas ankesës, ai ka kërkuar që të lirohet nga akuza, pasi që sipas tij, nuk është vërtetuar se ai ka kryer veprën penale me të cilën e ngarkon prokuroria.

Mbrojtja pretendon se gjykata ka bazuar vendimin në dëshminë e njërit prej dëshmitarëve, i cili ka qenë nën ndikimin e lëndëve narkotike.

Por, që të deklarohet lidhur me ankesën e të mbrojturit të tij, nuk është paraqitur në seancë avokati Bytyqi, i cili ishte ftuar në mënyrë të rregullt, andaj gjykata e ka angazhuar avokatin Betim Shala, i cili ishte i lirë në korridorin e gjykatës në ato momente.

E për angazhimin e tij, sipas detyrës zyrtare, është pajtuar edhe vet i akuzuari.

Ndryshe, kjo seancë ka filluar me vonesë, për shkak se njësiti i transportit të Shërbimit Korrektues, nuk e kanë sjell me kohë të akuzuarin nga Burgu i Dubravës, ku gjendet në vuajtje të dënimit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, e akuzonte Sejdi Hasanin se më 21 shtator 2018,  në oborrin e shkollës “Gjergj Sereqi” në Ferizaj, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, të dëmtuarin Arianit Selimi, me një dru e godet nga prapa në pjesën e pasme të kokës, më pas edhe në fytyrë, me ç’ rast i shkakton lëndime të rënda trupore. /BetimipërDrejtësi