Prokuroria korrigjon aktakuzën pasi ngatërroi emrin e njërit të akuzuar për vjedhje në tentativë, dy të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Raporton: Albina Krasniqi

Prishtinë – Prokuroria Themelore në Prishtinë, gabimisht ka shënuar në aktakuzë emrin e Liridon Ratkocerit si njëri nga dy të akuzuarit për vjedhje në tentativë. Andaj, në seancën e së martës është bërë korrigjimi i dispozitivit të aktakuzës, ku në vend të tij duhet të jetë Valon Ratkoceri. Më pas, ky i fundit dhe Betim Maloku, u deklaruan të pafajshëm

Sipas aktakuzës së ushtruar më 17 tetor 2016, e cila është përpiluar nga prokurorja Ajshe Ferati, fillimisht të akuzuar për vjedhje në tentativë figuronin Betim Maloku dhe Liridon Ratkoceri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, në seancën fillestare të mbajtur këtë të martë, prokurorja Ferati para leximit të aktakuzës, ka bërë precizimin-korrigjimin e dispozitivit të aktakuzës, ashtu që në vend të  Liridon Ratkoceri duhet të jetë Valon Ratkoceri si i akuzuar, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës ka mbetur e pandryshuar.

Më pas, të akuzuarit për vjedhje në tentativë, Betim Maloku dhe Valon Ratkoceri u deklaruan të pafajshëm për këtë vepër penale.

“Nuk e ndjejmë veten fajtorë dhe nuk ka qenë ashtu siç është lexuar në aktakuzë”, thanë të akuzuarit Maloku dhe Ratkoceri.

Pas deklarimit të të akuzuarve, gjykatësi i rastit Adnan Kamberi i ka njoftuar të akuzuarit Maloku dhe Ratkoceri dhe mbrojtësin e Ratkocerit, avokatin Mentor Neziri, se kanë të drejtë që të parashtrojnë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Shqyrtimi gjyqësor, sipas gjykatësit Kamberi, do të caktohet pasi që kërkesa për kundërshtim të provave dhe kërkesa për hudhjen e aktakuzës ta marrin formën e prerë.

Ndërkaq, sipas aktakuzës së 17 tetorit 2016, thuhet se më 16 tetor pas mesnatës në rrugën “Josip Rela” në Prishtinë, në lokalin “Milk Cake” të akuzuarit pas marrëveshjes paraprake me të miturit A.A dhe A.M dhe me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja dhe përfitimit pasuror të kundërligjshëm si dhe me qëllim të vjedhjes, kanë tentuar që me forcë ta thyejnë derën e lokalit.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kanë këputur – prerë unazën mbajtëse të drynit të derës së lokalit që e posedonte tani i dëmtuari Erzen Berveniku dhe në momentin që dëshmitari Agron Rudi, i cili në momentet kritike ka qenë duke hyrë në banesën e tij dhe ka lajmëruar policinë, me ç’rast vepra ka ngelur në tentativë.

Me këtë, Betim Maloku dhe Valon Ratkoceri po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë në tentativë” nga neni 327, par.1, nënpar. 1.1 lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shenim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë