Prokuroria kërkon rritjen e dënimit për të akuzuarin për falsifikim të parave, mbrojtja kërkon rigjykim

Lavdim Bajraktari - Rasti Veton Esati - 11.10.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Tetor 11, 2018

Prishtinë – Një dënim më të ashpër për të akuzuarin për falsifikim të parave, Veton Esati, po kërkon Prokuroria Themelore në Prizren.

Kjo, pasi sipas ankesës që kjo prokurori ka ushtruar në Gjykatën e Apelit, i akuzuari Esati është recidivist dhe me dënimin prej dy vjetësh burg, që Gjykata Themelore në Prizren i ka shqiptuar të akuzuarit, nuk do të arrihet qëllimi i dënimit.

Këtë aktgjykim të Gjykatës në Prizren, si kontradiktor po e cilëson, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fitim Shporta.

Sipas ankesës së mbrojtjes, aktgjykimi i shkallës së parë, është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale si dhe as gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë.

Kontradikta të cilën e thekson mbrojtja në ankesën e saj, ka të bëj me atë, se sipas dëshmisë së të dëmtuarve, të njëjtit njëherë kishin deklaruar se i akuzuari Esati, te villa “Tina”, kishte shkuar me një veturë të tipit “FIAT”, kurse, të njëjtit pastaj kishin thënë se i akuzuari kishte shkuar me një tip tjetër të veturës.

Po ashtu, siç tha avokati Shporta, dëshmitari Ali Hoti, në prokurori kishte deklaruar se i akuzuari, parat false ia kishte dhënë atij, kurse, vazhdoi avokati, gjatë dëshmisë së dëshmitarit Lulzim Bajrami, kishte dal se paratë i kishte marr ai, e jo i dëmtuari Hoti.

Për më tepër, avokati Shporta tha se dëshmitari Bajrami nuk ka qenë i sigurt nëse kishte qenë i akuzuari Esati, ai që ia kishte dhënë paratë.

Duke u nisur nga të gjitha këto rrethana, avokati Shporta i propozoi kolegjit të Apelit, që aktgjykimi të ndryshohet ose që lënda të kthehet në rigjykim.

Veton Esati, akuzohet se më 1 maj 2017, në vilën “Tina” në Lubishtë të Prizrenit, kishte vënë në qarkullim 100 euro false.

Sipas prokurorisë, një gjë të tillë, i akuzuari Esati e kishte bërë ashtu që kishte shkuar në vilën  në fjalë dhe kishte rezervuar dy dhoma gjumi, të cilat i kishte paguar me 100 euro false, ndërsa, pasi që kishte marr kusurin prej 70 euro, i njëjti ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të shkuar për të marr një shok të tij, e ku më pas, punëtori që kishte pranuar të hollat kishte vërejtur që të njëjtat janë false.