Prokuroria kërkon që të dënohet i akuzuari për narkotikë, mbrojtja thotë se ai s’kishte qëllim ta shiste marihuanën

Besnik Kabashi foto (2)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Dhjetor 13, 2019

Gjakovë – Të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ndaj të akuzuarit për posedim të narkotikëve me qëllim të shitjes, Besnik Kabashi.

Sipas aktakuzës, ai po akuzohet se ka poseduar narkotikë të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 51.09 gramë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Ramiz Buzhala, i cili fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ai propozoi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, ndërsa shtoi që si rrethanë rënduese të merret fakti se narkotikun i akuzuari e ka mbajtur në ambiente familjare.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kabashi, avokati Ylli Bokshi, i cili fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, deklaroi se i akuzuari narkotikun e ka pasur vetëm për nevoja personale.

Ai tha se cilësimi juridik i aktakuzës nuk është në përputhje me përshkrimin faktik të saj dhe se sipas tij, prokuroria nuk ka arritur ta vërtetojë faktin se i akuzuari narkotikun e ka pasur për qëllim të shitjes.

Ai tha se i akuzuari duhet të dënohet, mirëpo, sipas tij, pas rikulaifikimit të veprës penale në posedim të narkotikëve.

Gjykatësi Shaqir Zika shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 16 dhjetor, në ora 14:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë e 19 gushtit 2019, Besnik Kabashi po akuzohet se më 18 korrik 2019, rreth orës 20:00, në rrugën “Ali Ibra” në Gjakovë ka poseduar substancë narkotike me qëllim të shitjes.

Sipas aktakuzës, në atë mënyrë që në mbrëmjen kritike gjatë bastisjes së shtëpisë së tij nga ana e patrullës së Policisë, njësitit DHTN në Gjakovë, pikërisht në dhomën e gjumit janë gjetur 32 gramë substancë narkotike e mbështjellë në folje alumini, 18 paketime të mbështjella në copëza të vogla, në peshë prej 17 gramë, të bëra gati për shitje, në çantën e tij janë gjetur 1.27 gramë substancë narkotike, po ashtu në oborrin e tij pikërisht në garazh ku i mbante drutë është gjetur një paketim me folje alumini e mbushur me narkotikë, me peshë prej 0.82 gramë, një peshore dixhitale që përdorej për peshimin e narkotikut, ku pas ekzaminimit të narkotikut ka rezultuar se i njëjti ka poseduar narkotikë të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 51.09 gramë.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “blerje, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” nga neni 267 parag.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi